Rrëfimi publik për herë të parë i Vasfije Krasniqit. e cila ishte viktimë e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë ka nxitur debat në vendin tonë.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, ka reaguar duke thënë se Vasfije Krasniqi s’është veçse viktimë, sipas tij, guximi i saj për të rrëfyer historinë e dhunës seksuale nga forcat serbe e bën atë heroinë.

Abdixhiku me tej shton se Vasfije Krasniqi është gruaja që duhet t’i del para në kujtesë secilit delegacion kosovar sa herë që ulet në tavolinë me Serbinë.

“Vasfije Krasniqi s’është veçse viktimë. Guximi i saj për të rrëfyer historinë e dhunës seksuale nga forcat serbe e bën atë heroinë. Për këtë e njëjta meriton njohje institucionale. Heroinë që thyen tabutë shoqërore; heroinë që inkurajon mijëra gra tjera viktima; heroinë që i rikujton botës përjetimet e një 16 vjeçareje të përdhunuar në Kosovë – lënë gjallë që të vuaj më shumë me kohë. Vasfije Krasniqi është gruaja që duhet t’i del para në kujtesë secilit delegacion kosovar sa herë që ulet në tavolinë me Serbinë. Duhet t’i dalë përpara secilit naiv që pretendon se me Serbinë s’kemi pasur probleme kurrë; të tjerëve që flasin për amnisti krimesh; për falje pa kërkimfalje”.

“Përdhunuesi i saj, ndërsa, paramilitari serb gjendet i lirë. Për 16 vite rresht, ndonëse i dënuar, i njejti, besoni ose jo, ka shërbyer në policinë tonë. Polic i shtetit të lirë – në qoftë i tillë – i Vasfije Krasniqit.Me këtë fakt kapitullon shteti i Kosovës. Secila ditë e lirë e tij është shenjë kapitullimi e drejtësisë sonë, e gjyktave tona, e policisë sonë – e neve si politikan, e secilit tjetër që ndihet sot rehat me këtë fakt e me këtë relacion”, ka shkruar deputeti i LDK-së, Lumir Abdixhiku.