Policia e Korçës ka vënë në pranga një 31 vjeçar me profesion infermier pranë spitalit të qytetit, i cili njëkohësisht bënte dhe punën e “sekserit”.

Alku Gjalli i kërkonte studentëve të Universitetit Fan Noli që t’i jepnin para në këmbim të një note kaluese.  Premtimin 31 vjeçari e bënte për rezultate kaluese në disa lëndë, mjaftonte që studentët të paguanin një haraç nga 150 mijë deri në 200 mijë lekë të vjetra.

Njoftimi i policise:

Specialistët kundër Korrupsionit në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, bënë ndalimin e shtetasit:

Alku Gjalli, 31 vjeç, banues në fshatin Vinçan (me detyrë infermier pranë Spitalit të Korçës)

Ndalimi i tij u bë pasi, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë me vendim numër 339 datë 16.10.2018, ka vendosur për këtë shtetas masën e sigurisë “Arrest me burg” pasi dyshohet se ka konsumuar elementë të veprës penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” parashikuar nga neni 245/1 i Kodit Penal.

Nga hetimet e kryera në lidhje me këtë rast, rezulton se shtetasi i mësipërm kundrejt shumave nga 15.000 deri në 20.000 lekë, iu premtonte studentëve, se do i kalonte në provimet e Fakultetit të Infermierisë-Korçë, në lëndë të ndryshme.

Po vijon puna për dokumentimin e plotë të saj. Materialet hetimore për ndjekje të mëtejshme i kaluan Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Korçë.