Historia e Barcelonës ndryshoi përgjithmonë më 16 tetor 2004: ditën kur një djalosh i ri bëri debutimin zyrtar për klubin. Ai djalosh i ri quhej Lionel Messi. Ai u fut në lojë në minutat përfundimtare të derbit katalonas mes Espanyolit dhe Barcelonës në sezonin 2004/2005.

Pasi tashmë ishte veçuar nga masa për një kohë në akademinë La Masia, pas mbërritjes në klub në fillim të këtij shekulli, djaloshi i vogël me probleme në hormonet e rritjes nga Rosario e Argjentinës, nënshkroi kontratën e parë në një pecetë restoranti. Përkundër disa dyshimeve fillestare, Carles Rexach e kishte kuptuar se ky djalosh do të bëhej yll, transmeton Gazeta Express.

E paimagjinueshmja pasoi shumë më vonë. Leo Messi i ka thyer të gjitha rekordet e krijuara në histori të Barcelonës dhe sportit të futbollit në përgjithësi. Kur krahasohet një nga një me Maradonën, Pelen, Cruyff dhe Di Stefano, argjentinasi i mposht të gjithë. 14 vite të Messit, 14 vite të përjetimit të historisë.

Majtaku, në atë kohë shumë i hollë, me flokë të gjata, u shfaq në vijën anësore në minutën e 82-të për ta zëvendësuar portugezin Deco. Ai tashmë ishte paraqitur për ekipin e parë të Barçës në një ndeshje miqësore ndaj Portos. Por, në fushë në stadiumin “RCDE” të Espanyolit, ai bëri debutimin e famshëm në fanellën e Barcelonës.

Holandezi Frank Rijkaard ishte trajneri që e futi në lojë në atë kohë, transmeton Express.

Tani, nuk kemi çfarë të themi më shumë për Messin. Statistikat e tij në fanellën e Barcelonës deri më sot (16 tetor 2018): 648 ndeshje, 562 gola dhe 214 asiste. Ai i ka fituar 33 trofe: 4 tituj në Ligën e Kampionëve dhe nëntë në La Liga që janë kurorëzimi i një karriere të jashtëzakonshme të Messit deri tani.

Sulmuesi i shpejtë i fitoi shumë shpejt aftësitë për ta kontrolluar ndeshjen pothuajse nga çdo pozitë në fushë. Pesë Topa të Artë, pesë Këpuca të Arta flasin vetë për mbretin e futbollit.

Messi tani i ka kompletuar 14 vite në ekipin e parë të Barcelonës, dhe klubi katalonas dëshiron ta mbajë në mend ditën kur argjentinasi e përfaqësoi ekipin për herë të parë, si dhe disa nga paraqitjet e tij dinamike në ditët e para të periudhës së tij në Katalonjë.

Mbase ky është tipari më i rëndësishëm i trashëgimisë së Messit: një lojtar që qëndron mbi rekorde, i cili vetvetiu e ka kaluar lojën e futbollit duke dhënë pasime, gola dhe paraqitjet individuale që nuk janë parë kurrë më parë… deri më 16 tetor 2004.