Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë, Zoran Zaev sot është takuar me ambasadoren e Kanadasë në Republikën e Maqedonisë, me seli në Beograd, Kati Çaba, me të cilën ka biseduar për proceset politike aktuale në vend dhe ishte konfirmuar interesi reciprok për avancimin  e bashkëpunimit dypalësh midis të dyja vendeve, theksohet në kumtesën e pres shërbimit qeveritar.

Kryeministri Zaev duke e potencuar mbështetjen e madhe miqësore të Kanadasë, e ka informuar ambasadoren Çaba për aktivitetet për zbatimin e referendumit të ardhshëm dhe ka theksuar se pret më 30 shtator që qytetarët të dalin, ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre demokratike, dhe të votojnë me përgjegjësi, duke e njohur momentin historik, kur nevojitet secili të kyçet dhe lirisht të prononcohet.

Shkëlqesia e saj, ambasadorja Çaba, vlerësoi se Maqedonia pas nënshkrimit të marrëveshjeve me Greqinë dhe Bullgarinë është shembull pozitiv për të gjithë rajonin e Evropës Juglindore në drejtim të zgjidhjes së çështjeve të hapura, sigurim të stabilitetit që pa dyshim pozitivisht ndikon në thellimin e bashkëpunimit ekonomik midis të dyja vendeve.

Ambasadorja Çaba e transmetoi mbështetjen kanadeze për agjendën e reformave të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë dhe theksoi se Kanadaja e pret Republikën e Maqedonisë si vend anëtar i 30-të i NATO-s, duke vlerësuar se kjo do të jetë kontribut i rëndësishëm drejt stabilitetit dhe sigurisë së vendit, por edhe të të gjithë rajonit.

Kryeministri Zaev e konfirmoi mbështetjen e Qeverisë që të mbetet e fokusuar në sigurimin e rezultateve konkrete dhe të qëndrueshme, në drejtim të reformave në fushën e gjyqësisë, shërbimet e sigurisë, administratën publike, lirinë e shprehjes dhe përmirësimin e kushteve të mediave dhe sigurimin e luftës kundër korrupsionit, si reflektim i përpjekjeve për ndërtimin e Maqedonisë si evropiane dhe demokratike, theksohet në kumtesën e pres shërbimit qeveritar.