Qytetarët ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre të garantuar me Kushtetutë dhe të dalin dhe të marrin pjesë në sjelljen e vendimit më të rëndësishëm për ardhmërinë e shtetit tonë, bëri thirrje në ditën e fundit të  fushatës për referendumin më 30 shtator, kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, Talat Xhaferi së bashku me trupin koordinues, ndërsa në emër të të gjithë 120 deputetëve të cilët  zhvilluan fushatë “për” ose “kundër”.

“Si qytetarë të këtij shteti të gjithë kemi obligim dhe detyrim të njëjtë të marrin pjesë në sjelljen e këtij vendimi historik nga i cili varet drejtimi në të cilin do të lëvizë Republika e Maqedonisë. Vendimi pozitiv i qytetarëve më 30 shtator për Maqedoninë do të thotë hapje e dyerve të NATO-s dhe Bashkimit Evropian. Kjo shtetit tonë do t’i mundësojë siguri, rrugë të hapura për qytetarët e tanë, më shumë investime të huaja, hapje të vendeve të reja të punës, treg më i madh për prodhuesit e tanë vendor, mundësi për progres të gjeneratave të reja”, deklaroi Xhaferi.

Një referendum i suksesshëm, porositi Xhaferi, do të thotë shtet juridik, reforma në gjyqësi dhe qeverisje e plotë e të drejtës, me një fjalë jetë më të mirë për të gjithë ne dhe gjeneratat e ardhshme.

“Me rezultat pozitiv më 30 shtator Maqedonia do të bëhet partner i barabartë në Aleancën e NATO-s dhe do të hapet rruga për hyrje të shtetit tonë në shtëpinë e përbashkët evropiane. Qytetarë të respektuar, besoj se të dielën nuk do të qëndroni të mbyllur në të kaluarën, por do të dilni në vendvotime me ç’rast do ta sillni vendimin e duhur për ardhmërinë. Besoj se do të zgjidhni ardhmëri e cila do të sjellë progres, bashkëjetesë dhe prosperitet. Për këtë arsye bëj thirrje që më 30 shtator së bashku të votojmë për Republikë të Maqedonisë euroatlantike”, deklaroi Xhaferi në konferencën për shtyp në Kuvend.