Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, Talat Xhaferi, sot e priti në një takim Ditmir Bushatin, ministër për Evropë dhe Punë të Jashtme të Republikës së Shqipërisë.
Xhaferi, siç citohet në kumtesën zyrtare, theksoi se takimet e këtilla në nivel të lartë janë me rëndësi të veçantë për zhvillimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve miqësore dhe fqinje dhe se Republika e Maqedonisë e çmon lartë mbështetjen që Republika e Shqipërisë e jep në drejtim të integrimit të vendit tonë në strukturat euro-atlantike.
“Gjithsesi, në këtë plan, të dyja vendet duhet bashkë të përkrahen dhe ndihmohen nëse merret parasysh se qëllimi i gjithë rajonit është të bëhet pjesë e familjes së madhe evropiane”, tha Xhaferi.
Të dy bashkëbiseduesit konstatuan bashkërisht se të dy parlamentet duhet ta përforcojnë bashkëpunimin në nivel të grupeve për bashkëpunim, të komisioneve dhe shërbimit të Kuvendeve. Theks i veçantë u vu në bashkëpunimin ndërqeveritar.
Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati shprehu besim në realizimin e suksesshëm të referendumit të ardhshëm në Republikën e Maqedonisë me të cilin do të përmbyllet edhe një fazë në tejkalimin e pengesës së fundit për anëtarësim të plotfuqishëm në NATO.
Në takim u përmendën shumë fusha në të cilat dy vendet fqinje ndajnë interesa të përbashkët me rëndësi të madhe, siç janë projektet që janë në fazë përfundimtare, respektivisht ndërtimi i rrugës Qafë Thanë – Elbasan, si pjesë e Korridorit 8, autostrada Elbasan – Dibër dhe ndërlidhja hekurudhore ndërmjet dy vendeve.