Bregdeti i Karolinës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të goditet nga erëra me shpejtësi mbi 80 milje në orë sot pasdite dhe ky është vetëm preludi i ditëve plot telashe, teksa uragani Florence do të nisë të shfryjë zemërimin.

Florence është dobësuar paksa duke zbritur në Kategorinë 2 të uraganëve, por autoritetet amerikane paralajmërojnë që askush nuk duhet të gënjehet nga ky fakt, pasi kategoritë thjesht tregojnë shpejtësinë e erërave. Ato që e bëjnë këtë uragan veçanërisht të rrezikshëm janë stuhitë vdekjeprurëse, përmbytjet në bregdet dhe reshjet e jashtëzakonshmne që priten thellë në brendësi të vendit.

“Nuk ka rëndësi edhe nëse zbret në Kategorinë 1”, thotë meteorologu i CNN, Chad Myers. “Do të kemi stuhi të Kategorisë 4”. Florence pritet të qëndrojë mbi Karolinat duke i goditur ato me erëra të fuqishme dhe shi pa fund të paktën deri të shtunën. Deri në kohën e largimit, pritet që Florence të ketë shkarkuar 10 trilionë gallonë (1 gallon = 3.7 litra) reshje mbi Karolinën e Veriut, thotë meteorologu i weather.us, Ryan Maue. Kjo sasi mjafton për të mbushur mbi 15 milionë pishina me përmasa olimpike.

Loading...