Trajneri i Romës, Eusebio Di Francesco, beson se Real Madridi e ka skuadrën me kualitetin më të mirë në Evropë, edhe pas largimit të Cristiano Ronaldos, të cilin nuk ia ndiejnë mungesën. Sipas tij, tani ata luajnë më shumë si ekip i bashkuar.

Verdhekuqtë do të ndeshen me kampionët në fuqi të Ligës së Kampionëve sonte në orën 21:00 në Santiago Bernabeu. Kjo do të jetë ndeshja e parë për të dy skuadrat në këtë sezon të Ligës së Kampionëve, transmeton Gazeta Express.

“Cristiano Ronaldo? Ai ishte vendimtar në ndeshje për ta në të kaluarën, por skuadra e Real Madridit nuk është duke e ndierë mungesën e tij. Real Madridi janë skuadra me kualitetin më të lartë në Evropë”, ka thënë Di Francesco.

“Kjo do të thotë se ata nuk bëjnë shumë gabime, si edhe skuadrat e tjera spanjolle. Ata e mbajnë posedimin e topit me lehtësi dhe nuk bëjnë shumë gabime. Ata e kanë një mënyrë të bashkëpunimit që I bënë ata edhe më të fuqishëm sesa që janë”.

“Ne do të tentojmë të mos e ndryshojmë mentalitetin tonë, do të jemi agresivë dhe do të tentojmë të luajmë si zakonisht. E dimë se nuk do të jetë e lehtë ta bëjmë këtë gjë kundër Real Madridit, por ne nuk do të presim aty për të na goditur sepse atëherë do të humbasim”.

“Do të tentojmë t’i godasim edhe ne ata. Këtë vit ata po luajnë edhe më shumë si një skuadër dhe janë më të bashkuar. Ata bëjnë presion me top vazhdimisht, kështu që do ta kemi edhe më të vështirë”.