Dy tornado kanë goditur në 24 orët e fundit Kanadanë, duke shkaktuar dëme të mëdha materiale. Stuhitë kanë dëmtuar nënstacionet elektrike, duke bërë që qindra mijëra banorë të kryeqytetit Otava të mbeten pa energji.

Disa qindra mijëra banorë në Otaua të Kanadasë kanë mbetur pa energji elektrike pasi një tornado goditi dy herë vendin, duke shkatërruar shtëpi e duke shkulur çati të ndërtesave të ndryshme.

Në një deklaratë për shtyp, kryebashkiaku i kryeqytetit kanadez ka bërë me dije se mund të duhen disa ditë që energjia elektrike të rikthehet.

“Është një episod traumatik që po kalon vendi ynë. Duket si një skenar filmi ose lufte”, ka deklaruar Jim Watson. Tornadoja goditi Kanadanë të premten, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në qytetin Danrobin, përpara se të kalonte në qytetin Gatino, që ndodhet menjëherë në veri të Otavës, në provincën e Kebekut.

Erërat e forta kanë shkatërruar nënstacionet elektrike të kryeqytetit dhe autoritetet vlerësojnë se numri i qytetarëve që kanë mbetur në terr në të dyja anët e lumit është rreth 200 mijë.

Otava dhe Gatino së bashku kanë një popullsi prej 1.3 milionë banorë.