Themeluesi i Alibaba-s tërhiqet nga plani i krijimit të një milion vendeve të punës për shkak të tensioneve tregtare Kinë-SHBA

Themeluesi i Alibaba-s, Jack Ma, i cili njëherë mburrej se firma e tij e blerjes online do të nxisë krijimin e një millionë punëve në Amerikë, është tërhequr nga ato plane.
Duke e cituar luftën e vazhdueshme ndërmjet SHBA-ve dhe Kinës, Ma i tha agjensisë kineze të lajmeve Xinhua: “Nuk ka mënyrë për ta përmbushur premtimin.”
Kjo e pasoi vërejtjen e Ma-s në ditën e investitorëve të Alibaba-s se tensionet tregtare mund të vazhdojnë për dekada.
Ai më herët e kishte përqafuar idenë e zgjerimit në SHBA.
Në janar të vitit 2017, Ma u takua me presidentin e SHBA-ve Donald Trump, duke e përpiluar një plan për ta rritur praninë e Alibaba-s në Amerikë dhe përforcimin e marrëdhënieve mes dy shteteve.
Alibaba tha se çasja te konsumatorët kinez nëpërmjet vendit të saj të blerjes online do t`i ndihmonte bizenset e SHBA-ve të rriten dhe të punësojnë punëtorë – deri në një milion për pesë vite.
Sidoqoftë, të enjten Ma tha se premtimi ishte bazuar në idenë e marrëdhënieve të forta ndërmjet SHBA-ve dhe Kinës, të cilat janë bërë të hidhura.
“Situata momentale e ka shkatërruar kushtin fillestar,” tha ai.
“Nuk ka mënyrë për ta përmbushur premtimin, por ne nuk do t`i ndalim përpjekjet tona dhe do të punojmë shumë për ta promovuar zhvillimin e shëndetshëm të tregtisë Kinë-SHBA.”
Ai shtoi: “Tregtia në botë vërtet ka nevojë të perfeksionohet, por tregtia nuk është armë, nuk mund të përdoret për luftë, ajo duhet të jetë një shtysë për paqe.”