Nga Abdulla Mehmeti

Me një marrëveshje të keqe mes pushtetit aktual të Kosovës dhe atij të Serbisë, nëse vihen në lojë pjesë të territoreve shqiptare të Kosovës të pushtuara gjatë shekullit të kaluar me kolonistë serbë, nuk do të cënohet vetëm integriteti territorial dhe sovraniteti i Republikës së Kosovës, por do të ngrihet një mur ndarës me krahinat shqiptare të mbetura ende nën okupim nga Serbia, si krahina e Rrasës (Sanxhaku i Pazarit të Ri) dhe Toplica, me këtë do të shkëputej lidhja e natyrshme dhe vazhdimësia gjeografike dhe historike mes trojeve shqiptare në pjesën qendrore të Gadishullit Ilirik.

Interes strategjik i shqiptarëve sot është ruajtja dhe forcimi i lidhjeve komunikuese, kulturore dhe gjuhësore, mes territoreve shqiptare të lira dhe atyre të mbetura nën okupim nga shtetet fqinje.

Me shuarjen e ndikimit rus në rajon, ndalimin e barbarisë, terrorit dhe gjenocidit mbi shqiptarët, të shpërnguljes me dhunë të tyre nga trojet etnike; me forcimin e lidhjeve të natyrshme mes popujve dhe shteteve në kuadër të BE, sidomos në Ballkanin Perëndimor, nën mbrojtjen dhe sigurinë globale nga NATO, fryma e lirisë dhe barazisë, qytetërimi evropian dhe vlerat demokratike do të jenë një mundësi për shëndet të mirë kombëtar, zhvillim dhe progres të popullit shqiptar si asnjëherë më parë në histori.

Shqiptarët në shekullim e ri nuk do t’i shpëtojë dhe mbajë gjallë urrejtja ndaj njëri-tjetrit dhe të ndaj të huajve, përplasja me popujt dhe vendet fqinje, por politika vizionare, diplomacia e shkathtë, zhvillimi ekonomik dhe kulturor, si dhe forcimi i kapaciteteve të nevojshme ushtarake dhe të sigurisë kombëtare, për ruajtjen e stabilitetit, paqes dhe sigurisë në vend dhe në rajon.