“Veturat e blinduara që posedonim kishin shumë defekte dhe kishin nivelin shumë të ulët të sigurisë”. Kështu deklaruan shtatë të punësuarit në Ministrinë e Brendshme, në Drejtorinë e gjashtë duke dëshmuar në rastin “Tanku” gjegjësisht për Mercedesin e njohur luksoz. Dëshmitari Sasho Arsov, tha se Mercedesi i blinduar ishte i nevojshëm. Ai tha se shtetet tjera posedojnë vetura me nivel edhe më të lartë të sigurisë.

Nga përvoja ime e di se shtetet më të fuqishme posedojnë vetura me nivel më të lartë të sigurisë. Mendoj se për nevojat e shtetit dhe për delegacionet e jashtme nevojiten edhe vetura të tjera të blinduara – tha Sasho Arsov, dëshmitar në rastin “Tanku”.

Edhe dëshmitari Gonço Tenkov në gjykatë tha se përpara blerjes së Mercedesit janë përballur me defekte të ndryshme të veturës dhe se ka pasur raste kur nuk kanë mundur të mbrojnë sa duhet ministren e atëhershme.

Vetura ishte e vjetër, kishte zakonisht defekte, i bllokohej timoni dhe kishte raste kur kemi mbetur të bllokuar në rrugë. Unë kam pasur rast të udhëtoj me delegacionet e jashtme në vende të tjera. Atje voziten me vetura shumë të sigurta. Edhe kjo veturë do të plotësonte disa nga pajisjet – u shpreh Gonço Tenkov, dëshmitar në rastin Tanku.

Dëshmitari Viktor Belevski tha se e kishin njoftuar ministren e atëhershme Gordana Jankullovska se vetura nuk i plotëson standardet e nevojshme.

Vazhdimisht përballeshim me defekte. Kontaktuam me ministren për të gjetur një mënyrë për ta ndërruar veturën. Edhe ajo ishte e vetëdijshme se në Evropë shihnim vetura shumë më të sigurta se ajo që ne posedonim. Reagimi i saj ishte se për momentin nuk posedojmë me mjete të nevojshme dhe se kur të krijohen kushtet do të sigurohet një veturë më e sigurt – theksoi Viktor Belevski, dëshmitar në rastin Tanku.

Në seancat paraprake u paraqitën prova materiale dhe u dëgjuan dëshmitarë të tjerë, të cilët kanë qenë të përfshirë në furnizimin publik të automjetit të blinduar “Mercedes”, në vlerë prej 600 mijë eurosh në vitin 2012. Ish ministrja e Brendshme Jankullovska gjykohet në procedurë të ndarë për shkak të shtatzënisë. Ndërsa, pikërisht në këtë lëndë ish-kryeministri Nikolla Gruevski, u dënua me dy vite burg.