Shumicë për ratifikimin e marrëveshjes së Prespës ekziston në parlamentin grek dhe publikisht është shprehur nga partia SYRIZA, partia Potami dhe disa deputetë, tha shefi i diplomacisë greke Nikos Koxias pas takimit me kolegun e tij gjerman Hajko Mas.

Siç raportoi korrespondenti i MIA-s nga Athina, duke e pasur parasysh atë që Mas tani më ishte në Shkup dhe bisedoi me kreun shtetëror të Maqedonisë, marrëveshja e Prespës ishte një ndër temat e takimit të sotëm të ministrave të punëve të jashtme të Greqisë dhe të Gjermanisë në MPJ-në greke. Edhe Mas edhe Koxias folën për marrëveshjen historike dhe shansin historik që do të kontribuojë për stabilitet në rajon.

“Shpresoj se kjo marrëveshje historike do të implementohet, sepse kontribuon për miqësi të dy popujve dhe edhe më e rëndësishme është se kontribuon për stabilitet në rajonin më të gjerë”, porositi shefi i diplomacisë gjermane.

Ministri i Punëve të Jashtme i Gjermanisë e përsëriti qëndrimin e tij se “historia duhet të jetë shkollë”, e jo burg dhe shtoi se “marrëveshja na nxori nga burgu”. Shefi i diplomacisë greke shfaqi shpresë se referendumi tek ne do të jetë i suksesshëm, do ta ketë jehonën e duhur dhe i sqaroi hapat e ardhshme në marrëveshje.

“Shpresoj dhe besoj se referendumi do të kalojë dhe do ta ketë jehonën e nevojshme dhe më pas nga ana e Maqedonisë së ardhshme Veriore do të duhet të bëhen disa ndryshime kushtetuese”, tha Koxias.

Theksoi se këto ndryshime, kryesisht lidhen me irredentizmin dhe shtoi se “një problem i madh është edhe emri i kishës, po ajo tani nuk është temë”.

“Kur do të përfundojë e gjithë kjo, që është dashur të përfundojë në muajin dhjetor, por siç po e shoh do të përfundojë nga mesi ose fundi i janarit, atëherë do të vijë ratifikimi i marrëveshjes në parlamentin grek. Gjithashtu, në parlamentin grek do të vijë për ratifikim vendimi i NATO-s për integrimin e këtij vendi në NATO. Që do të thotë se do të kemi dy votime në parlamentin grek, por sipas cilës radhë do të vijnë, do të vendosë kryetari i parlamentit. Shumica për ratifikimin e kësaj marrëveshje ekziston dhe është shprehur publikisht nga paria SYRIZA, nga partia Potami dhe nga shumë deputetë të tjerë”, sqaroi shefi i diplomacisë greke, edhe njëherë duke e përsëritur qëndrimin se në parlamentin grek nuk është e nevojshme shumicë e partive, por shumicë e deputetëve.

Koxias, në konferencën për shtyp në MPJ-në greke, pas takimit me Mas tha se marrëveshja shikon drejt ardhmërisë edhe Ballkanit i jep stabilitet dhe siguri, duke shtuar se pas 10-20 viteve askush nuk do t’i kujtojë grindjet e sotme, dhe “të gjithë do të mendojnë se kuptohet se ekziston vend me emrin Maqedonia Veriore, në të cilin jetojnë njerëz të cilët vetëvendosin, sipas të drejtave të tyre demokratike dhe flasin gjuhën maqedonase”.

Në pyetje të gazetarëve të drejtuar deri tek shefi i diplomacisë gjermane, nëse ndoshta vizita në Shkup e një numri të madh të liderëve të huaj mund të kenë efekt të kundërt, Mas tha se edhe ai e ka pyetur veten nëse vizita në Maqedoni do të ishte e dobishme, duke e pasur parasysh atë se vendin e kanë vizituar edhe përfaqësues të tjerë të kreut shtetëror të Gjermanisë, midis të cilëve edhe kancelarja Merkel, por megjithatë tha se mendon se do të ketë ndikim pozitiv në referendum.