Përfaqësuesit e Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë, kryetari Naser Selmani dhe drejtori Dragan Sekulovski, në Shkup janë takuar me përfaqësuesin e lartë për liri të mediave të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, Harlem Dezir.

Gjatë takimit të djeshëm, siç kumtojnë sot nga SHGM-ja, është biseduar për sigurinë e gazetarëve, legjislacionin mediatik dhe për reformën e Radiotelevizionit të Maqedonisë.

Kryetari i SHGM, Selmani e informoi z. Dezir për sigurinë e gazetarëve, e cila vitin e kaluar është përmirësuar sepse numri i sulmeve ka rënë ndjeshëm, dhe këtë vit për herë të parë gjykata ka dënuar qytetar me gjashtë muaj burg për sulmin e dy gazetarëve vitin e kaluar.

Selmani shprehu shqetësimin se në Maqedoni vazhdon politika e mosndëshkimit për sulme ndaj gazetarëve. Nga afër gjashtëdhjetë sulme që kanë ndodhur në gjashtë vitet e fundit, 13 sulme nuk janë sqaruar fare, ndërsa në lëndët tjera hetimet janë ende në fillim.

Ai u ankua se policia ka praktikë të keqe për të paraburgosur gazetarët në stacionin e policisë pa ndonjë arsye serioze, ndërsa MPB nuk i heton këto raste që të përcaktojë rrethanat në të cilat gazetarët paraburgosen. Ai tha se në vendet demokratike liria e mediave nuk mund të kufizohet me vendime arbitrare të pjesëtarëve të policisë.

Në lidhje me ndryshimin e legjislacionit, Selmani përshëndeti gatishmërinë e Qeverisë, pas referendumit, të tërheqë amendamentet e diskutueshme të Kodit Zgjedhor dhe kërkoi ndihmë nga Përfaqësuesi i Lartë në procesin e ndryshimit të legjislacionit të medias, me qëllim që ai të përputhet me standardet evropiane.

Kryetari i SHGM tha se do të angazhohet për reformë serioze në Radiotelevizionin e Maqedonisë, e cila do të ndihmojë në përmirësimin e cilësisë së raportimit të mediave për çështjet që lidhen me jetën e qytetarëve dhe mirëqenien e tyre.

Përfaqësuesi i lartë i OSBE-së u zotua për të monitoruar nga afër situatën e lirisë së mediave në Maqedoni dhe për të bashkëpunuar me autoritetet lokale që të adresojë të gjitha shqetësimet e gazetarëve të Maqedonisë.