Barcelona ka arritur ta fitojë edhe ndeshjen e katërt të sezonit të ri të La Ligës. Ata u përballen me Real Sociedadin, të cilin e mposhtën në udhëtim me rezultat 2-1, duke e përmbysur rezultatin.

Fillimisht, Gorka Elustondo e kishte dërguar Real Sociedadin në epërsi në minutën e 12-të të ndeshjes. Goli i Elustondos, të cilin e asistoi Hector Moreno, ishte i vetmi gol i pjesës së parë, shkruan Gazeta Express.

Megjithatë, Barcelona hynë fuqishëm në pjesën e dytë të ndeshjes duke i kërkuar me ngulm golat e nevojshëm për ta mbajtur rekordin e 100 për qindtë në La Liga. Goli i parë për katalonasit erdhi në minutën e 63-të, kur shënoi Luis Suarez.

Vetëm tre minuta më vonë, Barcelona arriti ta përmbysë rezultatin përmes golit të shënuar nga Ousmane Dembele, i cili shënoi pas një ndërprerjeje të ndeshjes për korner.

Përkundër dominimit të topit nga Barcelona, Real Sociedadi kishte arritur të krijonte mjaft shumë raste për të shënuar. Gjatë ndeshjes, të dy skuadrat i patën 5 gjuajte brenda kuadrit të portës. Megjithatë, Barcelona u tregua më e saktë dhe rrjedhimisht e fitoi ndeshjen.

Pas kësaj fitoreje, Barcelona e kryeson tabelën e La Ligës, pasi që ka fituar të gjitha ndeshjet e zhvilluara deri më tani. Real Madridi ndodhet në pozitën e dytë, megjithatë ata ende nuk e kanë luajtur ndeshjen e vlefshme për xhiron e katërt. Ndërsa, Real Sociedadi radhitet në pozitën e dhjetë.