Marrëveshja për njohje të ndërsjellë për patentë shoferë me RF të Gjermanisë është me rëndësi për qytetarët tanë të cilëve u mundësohen benefite, ka deklaruar ministri i Punëve të Brendshme Oliver Spasovski në prag të nënshkrimit të Deklaratës mes MPB-së së Maqedonisë dhe Ministrisë gjermane për Transport dhe Infrastrukturë Digjitale me ambasadorin e RF të Gjermanisë Tomas Gerberih.

“Dita e sotme është shumë me rëndësi pasi nënshkruajmë marrëveshje të shumëpritur, marrëveshje ku gjetëm mënyrën të përfundojmë negociatat dhe ta nënshkruajmë të njëjtën. E dini se ky proces i bisedimeve zgjat një kohë të gjatë dhe jam i lumtur që arritëm për një vit të shmangim pengesa që të kyçet një marrëveshje e këtillë”, ka thënë Spasovski.

Ky proces, ka shtuar ai, me vite ishte ngatërruar në labirintet e harmonizimit reciprok normativ mes shërbimeve kompetente të Maqedonisë dhe Gjermanisë, pa shpresë për zgjidhje të suksesshme të çështjeve të hapura. Qytetarët me të drejtë kanë qenë të padurueshëm, pasi me vite u janë dhënë premtime boshe, por prej sot me nënshkrimin e Deklaratës, do tu mundësojmë qytetarëve tanë, të dy vendeve mike të shfrytëzojnë benefitet e njohjes së ndërsjellë të lejeve për vozitje.

Në aspekt praktik kjo nënkupton se në territorin e dy vendeve qytetarët që i përmbushin kushtet sipas Deklaratës (ligjërisht qëndrojnë më gjatë 180-185 ditë në shtetin tjetër gjatë vitit, kanë leje të vozitjes së vlefshme dhe të cilët kanë mbushur 18 vjet) do të mund të bëjnë ndërrimin e lejeve nacionale nga vendi ku qëndrojnë. Ata më pas nuk do t’i nënshtrohen shpenzimeve shtesë për testim të sërishëm apo vërtetim mjekësor dhe tjera.

Republika e Maqedonisë deri tani ka nënshkruar marrëveshje për njohjen e lejeve për vozitje me shtatë shtete edhe atë me Spanjën, Italinë, Serbinë, Shqipërinë, Malin e Zi, BeH dhe Austrinë. Në vijim është kyçja e marrëveshjeve bilaterale me Kosovën, Turqinë, Gjermaninë, Britaninë e Madhe. Në bazë të aplikimit të ngritur për njohjen e lejes nacionale për vozitje, në rrjedhë është edhe procedura me Australinë dhe Zelandën e Re.

Ministri Spasovski ka theksuar se Deklarata është vetëm një pjesë e aktiviteteve bilaterale dhe partneritetit që nga pavarësimi i Maqedonisë e që në kontinuitet i realizojmë me Gjermaninë. Shpreson se me intensifikimin e bashkëpunimit në periudhën e ardhshme veçmas tani, siç tha, “kur janë bërë hapat kryesor drejt integrimeve euroatlantike”.