E drejta e votës është e pacenueshme dhe askush nuk guxon ta rrezikojë. Sekreti i votës është i garantuar, ndërsa institucionet do të garantojnë zbatim të përkryer të referendumit më 30 shtator, porositi sot ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski.

Çdo qytetar, siç theksoi në video-fjalimin Spasovski, duhet të votojë me bindje personale dhe vullnet personal.

“Vota e qytetarëve vendos për ardhmërinë e Maqedonisë. Policia është në kulmin e punës për të mundësuar ambient demokratik të votimit dhe shprehje të lirë të vullnetit të qytetarëve”, tha Spasovski.

Ai paralajmëroi se do të sanksionohet çdo tentim për pengimin e realizimit të të drejtës së votës.

“Maqedonia është vend i lirë demokratik me sjellje evropiane. Çdo lloj i presionit, kërcënimit ose shantazhit gjatë aktit të votimit do të pengohet dhe sanksionohet në pajtim me ligjet. Kjo vlen edhe për aktivitetet në internet. Çdo tentim për pengimin e realizimit të të drejtës së votës do të sanksionet”, theksoi Spasovski.