Përmbytjet e shkaktuara prej uraganit Florence, praktikisht po e shkëpusin qytetin bregdetar të Wilmingtonit nga pjesa tjetër e Karolinës së Veriut.

Zyrtarët thonë se të gjitha rrugët hyrëse dhe dalëse prej tij janë të pakalueshme dhe i këshilluan banoret e evakuuar të qëndrojnë larg.

Qyteti me një popullsi prej gati 120.000 vetash, tani po përshkruhet si “ishull brenda shtetit”.

Rreth 400 vetë janë evakuuar nga zonat e rrezikuara prej vërshimit të furishëm të ujërave, ndërkohë që pjesa dërmuese e Wilmingtonit mbetet pa energji elektrike.

Shërbimi meteorologjik kombëtar paralajmëroi për më tepër se edhe dy ditë në vazhdim rrezikojnë të sjellin përmbytje të tjera të befasishme përpara se kushtet e motit të shkojnë drejt përmirësimit.

“Mos ejani këtu”, ishte thirrja e drejtuar banorëve nga autoritetet; rrugët janë të mbuluara e ujë, nuk ka asnjë mënyrë për të hyrë në Wilmington; ne duam që të ktheheni në shtëpitë tuaja, por nuk është ende momenti. Të paktën 17 vetë raportohet të kenë humbur jetën në incidente të lidhura me motin e keq në Karolinën e Veriut dhe atë të jugut qëkur Florence preku tokën si uragan i kategorisë së parë të enjten.