Rriten për 5% pagat në spitale, shkolla fillore dhe të mesme, si dhe në kopshte. Rritja vlen duke filluar nga paga e muajit shtator, ndërsa këtë e kanë bërë  të ditur ministrat e dikasterëve përkatës. Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, në pres konferencën e sotme tha se në shëndetin publik, 19.123 punonjës do të kenë rritje të pagave të tyre.

VENKO FILIPÇE, MINISTËR I SHËNDETËSISË

“Kuadrit mësimdhënës në degët kirurgjikale të klinikave universitare, paga do t’u rritet mesatarisht për rreth 5,300 denarë. Doktorëve specialist në klinikat universitare paga do t’ju rritet për 4,500 denarë, motrave medicinale në klinikat universitare me arsim të lartë mesatarisht 2000 denarë, kuadrit të mesëm medicinal rreth 1,500 denarë në klinikat universitare. Në spitalet e përgjithshme, me rritjen e rrogës, kuadri mësimdhënës do të merr pagë më të madhe për rreth 4,700 denarë, mjekët specialist në spitalet e përgjithshme për 4,600 denarë, motrat medicinale me arsim të lartë për 2,500 denarë, kuadri i mesëm medicinal në spitalet e përgjithshme do të marrin pagë më të madhe për 1,050 denarë”.

Ministri i Arsimit, Arbër Ademi, deklaroi se të punësuarëve në arsim u garantohet edhe shuma më e ulët e pages minimale, 12,714 denarë në shkollat fillore dhe 13,117 denarë në shkollat e mesme.  Ai theksoi se për realizimin e masës për rritjen e pagave në arsim, janë ndarë  145 milionë denarë për këtë vit ndërsa për vitin e ardhshëm rreth 580 milionë denarë.

ARBËR ADEMI, MINISTËR I ARSIMIT“Marrëveshja e nënshkruar kohë më parë me partnerin tonë më të madh social, sindikatën e pavarur të arsimit, shkencës dhe kulturës, garanton rritje të përhershme të pagave prej 5% për të gjithë punësuarit në shkolla publike dhe shtetërore, të arsimit fillor dhe të mesëm në vend, pavarësisht nëse janë të angazhuar në punë me kohë të caktuar apo të pacaktuar. Bëhet fjalë për rreth 30 mijë të punësuar, edhe atë 21.288 në arsimin fillor dhe 8950 në arsimin e mesëm”.

Ndërsa, ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Mila Carovska tha se rritje për 5% të pagave të tyre do të kenë edhe edukatorët dhe kujdestarët në arsimin parashkollor. Ajo tha se bëhet fjalë për rreth 4,295 punonjës, për të cilët kjo ministri ka 15 milionë denarë për realizimin e kësaj mase. Teuta Buçi