Ismajl Maqedonsi nga fshati Butovc i Komunës së Prishtinës rrëfen jetën e vështirë që po e kalon në këtë vend.

Ato që e shoqërojnë plakun 84 vjeçar janë vetëm këmbanat e bagëtive, për të cilat ai kujdeset.

Duke kujtuar kohën e rinisë, ai ka thënë dikur në këtë fshat kishte jetë dhe mirësi, ndërsa sot nuk e vizitohet nga askush.

Ismajl Maqedonsi, tregon për RTV Dukagjinin se ai jeton vetëm me familjen e tij në fshatin Butovc.

“Sot i kam 84 vjet, me askënd nuk kam me qelë gojën, veç me fëmijët e mi. Askush nuk vjen me na qelë derën, askush nuk vjen me na pa. Vend i shkretë, janë bërë njerëzit zotni. Dikush ka kerra dikush nuk ka. S’ke me kënd me qa një dert, as për gëzim as për keç”, shprehet i dëshpëruar i moshuari.

Maqedonsi thotë se për momentin fshati mund të konsiderohet si stan, sepse jetesë këtu nuk ka.

“Jetoj me një vajzë, dhe një djalë i cili një natë vjen një natë jo sepse është në punë. Tjerë banorë këtu nuk ka. Për momentin fshati mund të konsiderohet si stan”, thotë ai.