Për shkak të mbajtjes së aktiviteteve nga Java Evropiane e Mobilizimit 2018, sot nga ora 10:00 deri në orën 14:00, për qarkullim do të jenë të mbyllura disa pjesë të rrugëve “Dimitrie Çupevski” dhe “11 Tetori” në lëvizjen nga udhëkryqi me rrugën “Dame Gruev” dhe bulevardin “VMRO” deri tek rruga “Filipi i Dytë i Maqedonisë”. Komunikacioni do të riorientohet nëpër rrugët përreth.

“Automjetet e transportit publik urban që ndalojnë nëpër stacionet e autobusëve ‘Rekord’ dhe që lëvizin nga perëndimi drejt lindjes do të riorientohen përmes rrugës ‘Dame Gruev’. Automjetet e transportit publik urban të cilat lëvizin nga lindja drejt perëndimit do të riorientohen përmes rrugës ‘Shën Cirili dhe Metodi'”, kumtoi Qyteti i Shkupit.

Autoritetet e qytetit apelojnë që pjesëmarrësit në komunikacion t’i përmbahen regjimit të përkohshëm të vendosur në komunikacion dhe shpejtësinë e lëvizjes ta përshtatin me kushtet në rrugë.