Derisa  LSDM nga njëra anë, së bashku me partitë  e tjera të shumicës Parlamentare po kërkon realizimin e plotë të Marrëveshjes me Greqinë, Marrëveshja me Greqinë për opozitën maqedonase mbetet e pa pranueshme.

Pavarësisht qëndrimeve të kundërta të partive rreth marrëveshjes, analistët politik janë të bindur se megjithatë fushata do të jetë e lirë, pa shumë imponime deri tek qytetarët, sepse është e drejtë demokratike e çdo qytetari të Maqedonisë, që të del dhe të votojë qoftë “PRO” apo “KUNDËR” Marrëveshjes. Ndërsa bojkoti është humbje e mundësisë që qytetarët vetë të vendosin për të ardhmen tyre dhe të fëmijëvë të tyre.

“Kuptohet se do të zhvillohet një betejë politike dhe partiake midis LSDM-së dhe VMRO-DPMNE-së. Unë e di dhe jam i bindur se ka shumë qytetarë që kanë pakënaqësi të shumta individuale përshkak disa punëve të cilat nuk shkojnë mire, apo për disa skandale që ndodhën, për të cilat duhet ti kuptojmë qytetarët, mirëpo vetëpërcaktimi dhe shansi që po na jepet për anëtarësim në NATO dhe në BE, vetvetiu i eliminon të gjitha ato dobësi, apo barierra me të cilat po përballet qytetari këtu në Maqedoni. Por ajo që është me rëndësi se rritet shpresa për gjeneratat e reja”, tha Ismet Ramadani, analist.

Analisti politik dhe ish zv/kryeministri Imer Selmani  thotë se është shumë me rëndësi që çdo qytetar që ia do të mirën vetes dhe gjeneratave që vijnë, ta lexojë  përmbajtjen e Marrëveshjes, dhe jo të bierë nën ndikim të politikave ditore. Marrëveshja sipas Selmanit jo vetëm që zgjidh kontestin shumë vjeçar të emrit, por dhe garanton NATO-n dhe BE-në.

“Baza e demokracisë, shtylla kryesore e demokracisë është referendumi, e drejtë me të cilën ti e përcakton të ardhmen tënde, por jo vetëm tëndën, e përcakton të ardhmen e gjeneratave pastaj që vinë. Sepse rast i tillë neve mund të na vije pas 30 apo 40 viteve, apo ndoshta asnjëher nuk do të kemi më kësi shansin që të votojmë për një ndryshim. Andaj porositë do të jenë të lloj-llojshme, qytetarët duhet të jenë vigjilent, dhe mos t’ju besojnë shumë atyre të cilët dalin nëpër media, dhe mundohen të mashtrojnë, por së pari ata do të duhet ta lexojnë kontratën”, tha Imer Selmani, analist.

Fushata fillon që nga e hëna, kur kryetari i Parlamentit Talat Xhaferi, si udhëheqës i trupit koordinues për fushatën e referendumit, së bashku me deputetë të shumicës Parlamentare do ti vizitojnë vendbanimet në të gjithë Maqedoninë, për t’ua sqaruar qytetarëve përfitimet nga kjo Marrëveshje.