Ish-eprori i FARK-ut, Fuad Ramiqi, njëherit edhe bashkëpunëtor i Ahmet Krasniqit, i ftuar në emisionin “Frontal” në T 7 ka shpalosur detaje nga veprimtaria që Krasniqi e bënte atëkohë. Ramiqi tha se Ahmet Krasniqi e ndjenjte rrezikun që i kanosej, tha se qante dhe ndihej i braktisuar nga njerëzit që e kishin emëruar në pozitë. Konkretisht nga kryeministri në ekzil Bujar Bukoshi

“E ka ndje vazhdimisht rrezikun që i kanosej, Ahmet Krasniqi e ka ndje rrezikun që mund të vritet edhe e ka shpreh. Ka thënë që është i rrezikuar dhe ne të gjithë jemi të rrezikuar dhe e ka shpreh një ndjenjë që është i vetmuar në këtë veprimtari.  E ka ndje që është i braktisur edhe nga institucionet që e kanë emëruar, nga qeveria dhe faktorët tjerë në veprimtari. Qante për shkak të ndjenjës së braktisjes. Strategjia ishte çlirimi dhe liria e Kosovës”, tha Ramiqi në Frontal , transmeton Gazeta Express.

Më tej ka folur edhe për kryeministrin në ekzil, Bujar Bukoshin, duke thënë se Ahmeti nuk e ka pas mbështetjen e duhur.

“E di që nuk e ka pas mbështetjen e duhur, se vetë Ahmet Krasniqi është ankuar. Se di nëse i ka thënë edhe Bujar Bukoshit për rrezikun që i kanosej sepse unë kisha një mospërputhje me Bukoshin, i kam thënë që kështu nuk çlirohet Kosova. Bukoshi pretendonte se i ka në dorë faktorët që kanë të bëjnë me Kosovën dhe se i menaxhonte mirë”, shtoi ai.

Sjelljen e eshtrave të ish-Ministrit të Mbrojtjes e ka cilësuar si veprim të duhur që është dashur të ndodhë më herët.

“Është bërë një veprim që është dashur të bëhet më herët, sjellja e eshtrave të Ahmet Krasniqit”, tha Ramiqi.