Nga, Abdulla Mehmeti

Meqë referendumi i 30 shtatorit në Maqedoni organizohet për të mirën e të gjithë qytetarëve, pa dallim të përkatësisë kombëtare, fetare dhe gjuhësore, për çështjen e Marrëveshjes me Greqinë për ndyrshimin e emrit kushtetues të shtetit dhe për integrimin e vendit në NATO dhe BE;

Përderisa përkrahje të fuqishme për referendumin japin institucionet më të rëndësishme ndërkombëtare;

Vendin e kanë vizituar përfaqësuesit e shumë shteteve mike dhe të fuqive më të mëdha të botës, SHBA, Gjermania, BE, si dhe të NATO-s etj., në përkrahje të politikave të qeverisë aktuale dhe për realizimin sa më të suksesshëm të referendumit;

Përkrahje të hapur për referendumin kanë dhënë edhe Tirana dhe Prishtina zyrtare;

Përkrahje pa rezervë japin edhe partitë politike të shqiptarëve në Maqedoni, të cilat janë pjesë e koalicionit qeveritar dhe ato të opozitës;

Atëherë, pse fushata për referendumin nuk organizohet bashkërisht nga të gjitha partitë dhe koalicionet në pushtet, por vetëm përfaqësuesit e LSDM-së organizojnë fushatë në emër të Qeverisë dhe pushtetit, ndërsa partitë politike të shqiptarëve, pjesë të të njëjtës qeveri dhe të njëjtit pushtet, zhvillojnë fushata të ndara partiake, për aq më keq se këto fushata i organizojnë secila parti ndaras?!

A mund të jetë kjo çështje strategjike dhe në interes të shqiptarëve, apo është lojë politike për të dëshmuar para faktorit ndërkombëtar se shqiptarët janë qytetarë partiakë, qytetarë të rendit të dytë, jo qytetarë të këtij shteti dhe të kësaj qeverie?

TË NDËRPRITET KY MASHTRIM, KJO HISTERI POLITIKE QË E DËMTON IMAZHIN E SHQIPTARËVE PARA FAKTORIT NDËRKOMBËTAR, E QË MUND TË KETË PASOJA EDHE NË NDRYSHIMET KUSHTETUESE QË DO TË BËHEN PAS KËTIJ REFERENDUMI!

Loading...