Me mbështetjen e Bankës Botërore, për një kohë të shkurtër arritëm përparim në reforma të rëndësishme, është azhuruar strategjia për borxhin, është bërë rishikim aktual i Ligjit për borxhin publik dhe IT sistemin për menaxhimin me borxhin, theksoi kështu zëvendësministrja e financave, Shiret Elezi me rastin e hapjes së punëtorisë “Projeksioni i fluksit monetar dhe menaxhimi me mjetet financiare” që mbahet në kuadër të Ministrisë së financave.

Punëtoria, thuhet në kumtesë, është e organizuar nga ana e Grupacionit këshillëdhënës për menaxhim me borxhin publik të Bankës Botërore. E njëjta realizohet në suaza të Programit për menaxhim me borxhin publik dhe rreziqet, e mbështetur nga Sekretariati shtetëror për çështje ekonomike (SECO) e Zvicrës. Në trajnim përveç përfaqësuesve të Maqedonisë, ka edhe pjesëmarrës nga 6 vende tjera, mes tyre janë: Tajlanda, Shqipëria, Romania, Serbia, Sllovenia dhe Kosova.

Zëvendësministrja e financave Elezi potencoi se ka përparim në pjesën e tregut vendor të letrave shtetërore me vlerë dhe se janë krijuar masa për zhvillim të mëtutjeshëm në këtë segment.

Kjo punëtori është pjesë e programit për menaxhimin me borxhin publik dhe menaxhim me rreziqet, me qëllim që të rritet ndërgjegjshmëria e menaxhuesve me mjetet financiare dhe me borxhin për rëndësinë e parashikimeve të sakta për rrjedhshmërinë e parave/mjeteve monetare dhe praktikave të shëndosha për menaxhimin me mjetet monetare/paratë, theksoi mes tjerave Elezi.

“Qëllimi kryesor i menaxhimit efektiv të parave të gatshme të qeverisë dhe parashikimi i rrjedhës së parasë është që të ketë sasinë e duhur të parave në vendin e duhur dhe në kohën e duhur për të përmbushur detyrimet në një mënyrë të efektshme në kosto dhe me rrezik të menaxhueshëm.

Në të gjitha këto raste koordinimi, transparenca dhe shkëmbimi i informacioneve janë të patjetërsueshme”, potencoi mes tjerash Elezi.

Në hapjen e kësaj punëtorie u drejtua edhe zëvendës ambasadori i Zvicrës, Stefan Tomagian.

“Një nga prioritetet e Zvicrës në Maqedoni është mbështetja e Ministrisë në fushën e forcimit të menaxhimit të financave publike, me fokus në administrimin e taksave, menaxhimin e borxhit dhe statistikave të financave publike. Sidomos në menaxhimin e borxhit publik, Sekretariati Zviceran i Shtetit për Çështjet Ekonomike (SECO), në partneritet me Bankën Botërore jep mbështetje për vendet në zhvillim, në menaxhimin e borxhit publik dhe rreziqet. Kjo zbatohet brenda Programit të Menaxhimit të Borxhit dhe Rrezikut. Maqedonia u bashkua me programin gati dy vjet më parë, dhe ka qenë një nga vendet më aktive në grupin”, ka theksuar Tomagian.