Përveç sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, video mesazh mbështetës për referendumin e 30 shtatorit ka dërguar edhe presidentja e Kroacisë, Kolinda Grabar Kitaroviq.

“Kroacia ju mbështet fuqishëm tani që përballeni me një vendim shumë të rëndësishëm për referendumin vijues. Ju e keni vendin në familjen e BE-së dhe NATO-s, Kroacia është e gatshme t’u ndihmojë në këtë rrugë, duke e ndarë përvojën tonë me ju”, tha presidentja e Kroacisë Kolinda Grabar Kitaroviq në video-mesazhin dërguar qytetarëve të Maqedonisë në prag të referendumit të 30 shtatorit.

“Kjo është një mundësi që të kontriboni në stabilitetin dhe përparimin e tërësishëm në Evropën Jugperëndimore. Në fund, vendimi është i juaji dhe është e drejta juaj. Ne do t’u mbështesim në të gjitha përpjekjet e juaja”, thotë më tej presidentja kroate në video mesazhin mbështetës për referendumin.

Dje me një video mesazh qytetarëve të Maqedonisë ju drejtua edhe presidenti i Francës, Emanuel Macron, i cili veç tjerash tha se marrëveshja me Greqinë mundëson ardhmëri për Maqedoninë.