Komisioni Hetimor Parlamentar për zbardhjen e deportimit të gjashtë shtetasve turq që ndodhi në mars të këtij viti, do t’i intervistojë rreth 30 persona. Në mesin e tyre do të jetë edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi. Intervistimi i të gjithë atyre njerëzve që kanë pasur përgjegjësi për deportimin e shtetasve turq, të dyshuar për lidhje me organizatën “FETO” të klerikut turk Fetullah Gylen, do të do fillojë gjatë këtij muaji.
Nënkryetari i Komisionit Hetimor Parlamentar për këtë çështje, Driton Selmanaj, ka thënë për FaktePlus se procesi i votimit në Kuvendin e Kosovës u zgjat me tepër se që duhej, për shkak të PDK-së në atë kohë dhe tendencave të tyre për të penguar themelimin e këtij komisioni.
“Tash në shtator sipas planit të veprimit fillojmë me intervistimin e dëshmitarëve dhe personave relevantë për tematikën, e që në fakt janë afër 30, duke filluar nga presidenti i vendit, e deri në policin me të thjeshtë që ka marrë pjesë në procesin e arrestimit, dhe më pas do të shkojmë sipas planit dinamik të punës”, ka thënë Selmanaj për FaktePlus.
Sipas planit të veprimit të Komisionit, puna është ndarë në tri faza. Në fazën e parë është intervistimi i dëshmitarëve; në fazën e dytë janë mbledhja e fakteve; dhe në fazën e tretë është paraparë shqyrtimi i fakteve dhe nxjerrja e raportit përfundimtar.