Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka arritur në objektin e Kuvendit të Kosovës, dhe pritet që të marrë pjesë në seancën e Kuvendit, ku pritet të diskutohet për propozimin e qeverisë për themelimin e Grupit të Unitetit për dialogun me Serbinë, shkruan Gazeta Express.

Ky grup do të udhëhiqet nga kreu i NISMA-s, Fatmir Limaj, ndërkohë pjesë e tij është kërkuar që të jenë edhe përfaqësues nga partitë opozitare.

Ndryshe sot presidenti Thaçi ka thënë se e përkrahë plotësisht themelimin e një grupi të tillë, dhe ka thënë se do të bashkëpunojë  bazuar në Kushtetutën e Kosovës, raporton Express.

Kujtojmë se edhe partitë opozitare kanë thirrur një seancë të jashtëzakonshme, ku pritet të miratohet një rezolutë që ia ndalon Thaçit që të diskutojë për territorin e Kosovës në dialogun e Brukselit.