Ylli francez i Manchester Unitedit, Paul Pogba, i ka kritikuar personat që, sipas tij po krijojnë dramë, pas komenteve të tij të mëhershme rreth stilit të lojës së trajnerit Jose Mourinho.

“Djajtë e kuq” kanë arritur të marrin vetëm katër pikë nga tri ndeshjet që kanë luajtur në Old Trafford gjatë këtij sezoni të Premierligës. Ndeshjen e fundit në shtëpi, ata barazuan kundër Wolvesit, transmeton Gazeta Express.

Pas përfundimit të ndeshjes, Pogba e kritikoi taktikën e përdorur duke thënë se Manchester Unitedi duhet të sulmojë vazhdimisht kur luan në shtëpi.

Kjo deklaratë u mor si kritikë ndaj Jose Mourinhos, pasi që Pogba edhe më herët kishte dhënë deklarata që kishin ngjallur debat. Pas ndeshjes së parë të sezonit, Pogba kishte thënë se ai nuk mund ta shprehte mendimin e tij pasi që do të gjobitej.

Por, francezi e përdori llogarinë e tij në Twitter për të thënë se fjalët e tij ishin nxjerrë jashtë kontekstit nga njerëz të cilët dëshirojnë të krijojnë dramë.

“Disa njerëz bëjnë polemika edhe vetëm nga ‘mirëmëngjesi’ për të krijuar dramë”, ka shkruar Pogba në Twitter.

“Mirëmëngjesi nga Pogba për të gjithë, shpresoj që ta shtrembëroni edhe këtë”