Ish-mesfushori i Manchester Unitedit, Paul Ince, beson se zgjidhja e vetme për problemin e mesfushorit francez, Paul Pogba, do të jetë largimi i tij nga klubi anglez gjatë afatit kalimtar të janarit, pas mosmarrëveshjeve me trajnerin Jose Mourinho.

Paul Pogba u rikthye në Old Trafford pas katër sezoneve me Juventusit, në vitin 2016. Manchester Unitedi u desh t’i shpenzonte 105 milionë euro për transferimin e tij, që në atë kohë ishte shuma më e lartë e paguar për një lojtar, transmeton Gazeta Express.

Megjithatë rikthimi i tij nuk po rezulton të jetë po aq i suksesshme sa ishte pritur, pasi që tani duket se Pogba dëshiron të largohet nga “Djajtë e kuq” për shkak të zënkave me trajnerin Mourinho.

Pas përfundimit të ndeshjes kundër Wolves, e cila përfundoi me rezultat 2-2, trajneri Jose Mourinho e kishte kritikuar francezin Pogba, duke i thënë se ai ishte lojtar i mirë, por jo i veçantë. Pas kësaj, Pogba, në një intervistë për media, i kishte kritikuar publikisht taktikat e portugezit, duke thënë se ata duhet të sulmojnë më shumë kur janë duke luajtur në Old Trafford.

Ndërsa, deklaratës së Pogbas, Mourinho i ishte përgjigjur duke i thënë francezit, para të gjithë lojtarëve, se ai nuk do të jetë më kurrë kapiten i skuadrës, gjë të cilën e ka konfirmuar edhe vetë portugezi. Ndërsa, dje, Sky Sports ka publikuar një video ku shihet marrëdhënia e tensionuar mes portugezit dhe francezit, gjatë një seance stërvitore në Carrington.

Këto zënka mes Mourinhos dhe Pogbas kanë bërë që Ince të besoj se vetëm njëri prej tyre mund të qëndrojë në Manchester United.

“Nëse kjo gjë do të ishte duke ndodhur nën menaxhimin e Sir Alexit, ai do të thoshte: ‘Ai duhet të largohet. Largojeni nga këtu menjëherë’. Ai nuk do ta lejonte atë të ndodhë kjo gjë, të bëhet skuadra një shaka për shkak të sjelljes së një lojtari”, ka thënë Ince.

“Mendoj se fati i tij tanimë është i përcaktuar dhe ai do të largohet në janar. Thuhet se Mourinho mund të largohet para tij, por unë do të zhgënjehesha shumë me Woodwardin [drejtori ekzekutiv] nëse ai do ta lejonte të ndodhë një gjë e tillë”.

“Nëse e bëni një gjë të tillë, atëherë ju po e lejoni një lojtar të bëhet më i fuqishëm se trajneri dhe se e gjithë pjesa tjetër e skuadrës. Është koha që Woodwardi ta mbështesë Mourinho”.

“Nëse ai i thotë Pogbas se po e shqetëson zhveshtoren dhe se nuk po luan në nivelin që kërkohet, atëherë ai duhet ta mbështesë trajnerin dhe ta lejojë largimin e mesfushorit. Pogba ka krijuar më shumë problemeve sesa që ka zgjidhur që nga momenti kur u kthye në Manchester United”.