Kina shprehu sot indinjatën pas sanksioneve amerikane kundër armatimeve ruse.

Uashingtoni njoftoi dje në mbrëmje se kishte sanksionuar për herë të parë një entitet të huaj për blerjen e armëve ruse, më saktë bëhet fjalë për një njësi të ushtrisë kineze, që ka blerë avionë luftarakë dhe raketa tokë-ajër.

“Ky gjest i SHBA-së shkel rëndë parimet themelore të marrëdhënieve ndërkombëtare dhe dëmton seriozisht marrëdhëniet mes dy vendeve dhe ushtrive të tyre”, deklaroi gjatë një konference për shtyp zëdhënësi i diplomacisë kineze, Geng Shuang duke theksuar se Pekini kishte paraqitur menjëherë protestat e tij në Uashington.

“Ne i bëjmë thirrje fuqishëm SHBA-së të korrigjojë menjëherë këtë gabim dhe të tërheqë të ashtuquajturat sanksione. Përndryshe SHBA-ja duhet të paguajë pasojat”, paralajmëroi ai.