Mbrojtësi i Parmës, Federico Dimarco, ia ka rrëmbyer ish-skuadrës së tij, Interit, tre pikët e ndeshjes së xhiros së katërt të Serie A-së, ndeshje kjo e zhvilluar në shtëpi të Interit, stadiumin San Siro.

Goli i shënuar në minutën e 79-të rezultoi të jetë vendimtar në ndeshjes mes Interit dhe Parmës. Të dy skuadrat kishin nevojë për fitore, por Parma u tregua e suksesshme duke e siguruar kështu fitoren e parë ndaj Interit në udhëtim që nga viti 1999, raporton Gazeta Express.

Gjatë pjesës së parë, Interi e kishte dominuar ndeshjen dhe nëse nuk do të ishte për pritjet e mrekullueshme të portierit të Parmës, Luigi Sepe, ata do të kishin qenë në epërsi që në pjesë të parë.

Mirëpo, pas gjithë atyre rasteve që nuk i shfrytëzoi Interi, Parma e ndëshkoi në minutën e 79-të, përmes golit të Dimarcos. Ky gol ia siguroi Parmës fitoren e parë këtë sezon të Serie A-së, pasi që deri më tani e kishte pasur vetëm një pikë nga tri ndeshje.

Ndërsa, për Interin kjo është humbja e dytë e sezonit. Zikaltrit kishin humbur ndeshjen kundër Sassuolos në javën hapëse me rezultat 1-0. Pas barazimit kundër Torinos, ata kishin arritur ta mposhtin Bolognan me rezultat 3-0. Por, një gjë të tillë nuk arritën ta përsërisin.

Pas këtyre rezultateve, Interi gjendet në pozitën e shtatë, ndërsa Parma në pozitën e 12-të. Megjithatë, radhitja mund të ndryshojë pasi që ndeshjet e tjera të vlefshme për këtë rund ende nuk janë zhvilluar.

 

Loading...