Presidenti moldav Igor Dodon është lënduar në një aksident trafiku në veri-perëndim të kryeqytetit Chisinau.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, ka qenë një kamion ai që ka goditur një veturë në një mot të lagësht pranë qytetit të Strasenit dhe u përplas në konvojin presidencial.

Një nga makinat në konvoj u përmbys, ndërsa presidenti Dodon u dërgua në spital, por pësoi vetëm lëndime të lehta.

Bëhet fjalë për 43-vjeçarin, një aleat i Vladimir Putinit të Rusisë, i cili ka udhëhequr ish-Republikën Sovjetike që nga dhjetori 2016.

Ndërkohë pamjet e postuara në internet tregojnë momentin gjatë dhe pas aksidentit, dhe rrënojat e një makine të dalë nga rruga.

Aksidenti vjen vetëm disa orë pasi Gennady Gagulia, kryeministri i Abhazisë, një republikë e mbështetur nga Rusia, që u nda nga Gjeorgjia në vitet 1990, vdiq në një aksident automobilistik. /Telegrafi/