Këshilli i të Drejtave të Njeriut i Kombeve të Bashkuara ka rënë dakord të enjten të krijojë një ekip që do të dokumentojë krimet e dyshuara të kryera nga qeveria e Mianmarit, kundër minoritetit Rohingya.

Këshilli prej 47-anëtarësh votoi me 35 vota pro dhe 3 kundër për krijimin e një “mekanizmi të pavarur” që do të vijojë punën e një komisioni të mëparshëm faktmbledhës.

“Mekanizmi i ri i mandatuar të enjten do të mbledhë dhe ruajë provat si dhe do të përgatisë dosjet për çdo rast të ndjekjes penale në të ardhmen, të atyre që janë përgjegjës për disa prej krimeve më të rënda sipas ligjit ndërkombëtar”, tha në një deklaratë Tahani Hassan i organizatës “Amnesty International”. Ai i bëri thirrje Këshillit të Sigurimit të OKB-së që ta referojë çështjen tek Gjykata Ndërkombëtare Penale.

Më shumë se 700 mijë anëtarë të komunitetit Rohingya, më së shumti myslimanë, u larguan nga shteti Rakhine për në vendin fqinj Bangladesh, pasi qeveria kryesisht budiste e Mianmarit, nisi një goditje të gjerë në të gjithë rajonin në vitin 2017, si përgjigje ndaj një serie sulmesh të kryera nga militantët Rohingya. Vëzhguesit ndërkombëtarë kanë akuzuar ushtrinë e Mianmarit se ka djegur fshatra dhe ka kryer përdhunime, tortura e vrasje në masë. Kombet e Bashkuara e kanë trajtuar rastin si “spastrim etnik”.

Komuniteti Rohingya është përballuar prej kohësh me problemin e diskriminimit nga qeveria e Mianmarit. Grupit i është mohuar shtetësia prej dekadash, gjë që në thelb i ka lënë ata pa shtetësi.