Komuna e Çairit, Ohrit, Strumicës, Shën Nikollës, Valandovës dhe Velesit, si edhe 18 komuna tjera, të cilat do të përzgjidhen në nëntor të vitit 2018 dhe 2019, do të marrin nga 62.000 dollarë për projekte nga interesi publik të cilat janë konfirmuar si parimore nga ana e qytetarëve.

Kjo u kumtua në punëtorinë e sotme të mbajtur me rastin e shënimit të Ditës ndërkombëtare të demokracisë, ku morën pjesë më shumë se 70 kryetarë të këshillave komunalë dhe diskutuan për mënyrat si të bëhet pushteti lokal më inkluziv, më transparent dhe raportues.

Në punëtorinë, që u organizua nga ana e Programit për zhvillim të Kombeve të Bashkuara (UNDP), u shpall edhe thirrja publike për pjesëmarrjen e komunave në projektin “Përforcimi i këshillave komunalë”, të financuar nga ana e Agjencisë zvicerane për zhvillim dhe bashkëpunim.

Komunat, që do të përzgjidhen në procesin konkurrues, do të marrin trajnim i cili do t’u ndihmojë këshilltarëve të komunave në mënyrë më të lirë t’i mbikëqyrin buxhetet lokale dhe më drejtpërdrejtë të komunikojnë me qytetarët gjatë konfirmimit të prioriteteve për shpenzimin e mjeteve buxhetore të komunës.

Pas trajnimit të suksesshëm, komunat do t’i marrin mjetet e ndara për projekte. Në këtë mënyrë, projekti “Përforcimi i këshillave komunalë” ka për qëllim ta përforcojë pozitën e këshillave të komunave në sjelljen demokratike të vendimeve në nivel lokal, ku, tradicionalisht, kryetarët e komunave kanë rol dominues, si dhe të sigurojë se çdo denarë i komunës është shpenzuar me mençuri, në mënyrë efikase dhe transparente.

Projekti është edhe në pajtim me Qëllimet e qëndrueshme për zhvillim të cilat i obligojnë të gjitha vendet anëtare të KB-së për të siguruar sjellje të përgjegjshme, inkluzive dhe me pjesëmarrje të vendimeve në të gjitha nivelet.