Kaluan 25 vite, ndërsa mund të kalojnë edhe po aq para një marrëveshje të re në qoftë se kjo nuk kalon, thotë ndërmjetësuesi i KB-së në kontestin për emrin Methju Nimic në intervistë për BIRN lidhur me kontestimin e marrëveshjes së arritur midis Maqedonisë dhe Greqisë.

Për të, ideja për pritje afatgjate dhe moszbatim të marrëveshjes është shumë e rrezikshme.

“Atyre në shtetin tuaj që thonë ‘eja të presim, të lëmë edhe disa vite, do të kemi marrëveshje më të mirë në të ardhmen’, unë ju them ‘Nuk e dini atëherë se ku do të jetë BE-ja, se nëse do të duan edhe një anëtare, se nëse do të duan që ai të jetë shteti juaj, nuk e dini se ku do të jetë NATO, nuk e dini se çka do të ndodhë në Greqi me ndërrimin e pushtetit, nuk e dini se çka do të ndodhë në rajon. Ideja për pritje afatgjate është shumë e rrezikshme”, thekson Nimic.

Thotë se është optimist i rezervuar, por që megjithatë, nuk ka përfunduar gjithçka. Që marrëveshja të jetë e realizueshme, duhet të kalojë referendumi, të miratohen ndryshimet kushtetuese dhe pastaj parlamenti grek ta ratifikojë.

“Shpresoj se do të kalojë në të dy shtetet, sepse është zgjidhje korrekte dhe e ndershme për të dyja palët, por nëse nuk kalon, nuk shoh zgjidhje së shpejti. Kaluan 25 vite, mund të kalojnë edhe 25. Edhe shumë persona do ta humbin interesin, nëse nuk kalon tani në shtetin tuaj”, paralajmëron Nimic në intervistë për BIRN që e transmeton PRIZMA