Rruga drejt Bashkimit Evropian dhe NATO-s i hap dyert për investime nga kompanitë e huaja në bujqësinë e Maqedonisë, porositi ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Ljupço Nikollovski gjatë takimeve të sotme me bujqit dhe përfaqësuesit e sektorit të biznesit në komunën e Bosilovës.

Vetëm pas ftesës së NATO-s për anëtare e Aleancës në qershor të këtij viti, Maqedonia ka paralajmërime për 50 investime të reja në sektorin agrar. Në këtë drejtim Ministria kompetente përgatit shpallje publike për ndarjen e tokës së lirë bujqësore në pronësi shtetërore për sipërfaqe prej mbi tre hektarë.

Shpallja ka të bëjë me realizimin e investimeve të huaja, siç janë ngritja e plantacioneve të reja dhe ndërtimi i komplekseve bujqësore.

“Shpallja e cila po përgatitet për ndarjen e tokës bujqësore shtetërore me qira prej tre hektarësh ka të bëjë edhe për sektorin e biznesit gjegjësisht të gjithë investitorët vendas dhe të huaj të cilët janë të interesuar për kapacitete të reja bujqësore. Kushtet me të cilët do të jepen sipërfaqet janë vendosja e planit të veçantë të biznesit për investime dhe numri i caktuar i punësimeve. Qëllimi i jonë është çdo pjesë të lirë të tokës shtetërore ta vëmë në funksion të bujqve, ekonomisë së përgjithshme dhe maksimalisht t’i shfrytëzojmë të gjitha potencialet”, deklaroi Nikollovski.

Harmonizimi me rregullativën evropiane dhe perspektivën që Maqedonia të bëhet anëtare e BE-së rezulton edhe në hyrjen e investimeve të huaja direkte, bëri të ditur Nikollovski, duke shtuar se vetëm në gjysmën e parë të këtij viti niveli i investimeve të huaja të përgjithshme direkte në vend është 327 milionë euro, që është tre herë më i lartë nga periudha e njëjtë e vitit të kaluar.

“Anëtarësimi i Maqedonisë në BE dhe NATO e bën vendin tërheqës dhe të sigurt për investitorët vendas dhe të huaj. Kjo domethënë më shumë investime dhe subvencione më të larta, plasman të qëndrueshëm, treg më të gjerë, blerje të sigurt dhe të ardhura më të mëdha për bujqit tanë”, tha Nikollovski.