Ish-mesfushori brazilian, Gilberto Silva, beson se emërimi i Neymarit si kapiten do t’i ndihmojë 26-vjeçarit të rritet. Ai beson se te bashkëkombësi i tij ka shumë vend për përmirësime dhe, tani, ai do ta ketë më të lehtë ta bëjë një gjë të tillë.

Neymari u emërua kapiten i Kombëtares së Brazilit, pasi që Tite vendosi që të mos i ndërrojë kapitenët çdo ndeshje. Këtë gjë ai e kishte bërë gjatë turneut të Kupës së Botës në Rusi, dhe pas eliminimit në çerekfinale, ishte vlerësuar si taktikë jo e suksesshme, përcjell Gazeta Express.

Neymari arriti ta fitojë ndeshjen e tij të parë si kapiten i Kombëtares së Brazilit në ndeshjen kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Këtë ndeshje miqësore, e cila u zhvillua të premten, Brazili e fitoi me rezultat 2-0.

Neymari ishte kritikuar shumë pas turneut të Kupës së Botës në Rusi, pasi që shumë njerëz mendonin se ai e ekzagjeronte reagimin pas ndërhyrjeve nga kundërshtarët. Por, Silva beson se mbajtja e shiritit të kapitenit do t’i ndihmojë Neymarit të bëhet më i përgjegjshëm.

“Besoj se ata duan ta mbrojnë Neymarin më shumë pas kritikave që mori gjatë Kupës së Botës. Dhe gjithashtu, duan t’ia rikujtojnë atij se ai ka një përgjegjësi të madhe ndaj skuadrës, për shkak të asaj që përfaqëson në botën e futbollit”, ka thënë Silva.

“Shiriti i kapitenit do t’i ndihmojë atij ta kuptojë përgjegjësi që ka, dhe ta marrë atë si diçka pozitive për rritjen personale të tij. Është e rëndësishme që ai të përqendrohet dhe t’i injorojë kritikat. Ai ka ende shumë punë për të bërë për t’u rritur”