Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu në një intervistë për “Zërin”, ka folur në lidhje me protestat kundër presidentit Thaçi.

Ajo ndër të tjera në këtë intervistë flet edhe për mosdaljen në protesta të PSD-së, për të cilët thotë se nëse nuk dalin tregojnë hipokrizi.

Zëri: E keni ftuar edhe Lidhjen Demokratike të Kosovës që të jetë pjesë e protestës, mirëpo kjo e fundit nuk ka pranuar që t’ju bashkohet me arsyen se nuk është koha për të protestuar. Pse sipas jush ka ndodhur një gjë e tillë?

Haxhiu: Ne gjatë kësaj kohe kemi pasur një bashkëpunim dhe takime me përfaqësuesit e LDK-së për t’u koordinuar për veprimet në Kuvendin e Kosovës, por po ashtu edhe për veprimet jashtë Kuvendit të Kosovës. Edhe LDK-ja e ka parë që në këtë situatë, me këtë Qeveri dhe me këtë president, me këta njerëz që janë në pushtet është e pamundshme që të bëhen ndryshimet përmes Kuvendit. Po ashtu në këto takime atyre ua kemi shprehur idenë për të protestuar bashkë, por ndonëse ka pasur interesim edhe nga LDK-ja që të protestojnë, por në këtë fazë ata konsiderojnë që nuk duhet të protestojnë dhe unë mendoj që nuk është në rregull si qëndrim. Mirëpo megjithatë presim që qëndrimet individuale të disa deputetëve të kësaj partie të bëhen qëndrime zyrtare të LDK-së. Ne madje i ftojmë ata që edhe individualisht të bëhen pjesë e protestës, sepse kjo është protestë gjithëpopullore dhe jo protestë partiake, ne e kemi obligim që të dalim në mbrojtje të vendit.

Zëri: Në anën tjetër ish-deputetët e partisë suaj, tashmë pjesë e PSD-së, kanë thënë që nuk kanë marrë ftesë për t’u bërë pjesë e protestës nga ana e Lëvizjes Vetëvendosje. Pse nuk keni vlerësuar se edhe ata duhet të jenë pjesë e protestës suaj?

Haxhiu: Në asnjë rrethanë ne nuk kemi thënë që ata nuk duhet të jenë pjesë e protestës, përkundrazi unë edhe përmes kësaj paraqitjeje publike u bëj ftesë edhe atyre dhe njerëzve të cilët e mbështesin këtë subjekt që t’i bashkohen protestës. Ne u kemi bërë thirrje të gjitha subjekteve politike, përkrahësve të tyre që të bëhen pjesë e kësaj proteste, por sa i përket përgjigjes së tyre se nuk kanë marrë ftesë nga Vetëvendosja, më duket pak e çuditshme për shkak se ne nuk u dërgojmë ftesa nëpër zyrat e tyre subjekteve politike. Arsyeja se pse ne në fillim i kemi shkruar LDK-së ka qenë për faktin se ne e kemi thirrur LDK-në që bashkë ta organizojmë një protestë të tillë, por po ashtu Grupi Parlamentar i PSD-së në paraqitjet e tyre, sidomos z. Molliqaj, kanë thënë që kanë ndryshuar metodat dhe nuk e shohin si mundësi që përmes protestave të ketë reagime. Prandaj edhe nëse ata janë kundër Hashim Thaçit dhe kundër kësaj ndërmarrjeje të tij, atëherë edhe ata duhet t’i bashkohen protestës, në të kundërtën të gjitha deklarimet e tyre janë hipokrizi./ZËRI