Fakulteti i Teknologjisë Ushqimore dhe të Ushqyerit i Universitetit të Tetovës, në bashkëpunim me përfaqësues të Ministrisë së Bujqësisë, në hapësirat e Universitetit tonë, organizuan takim të përbashkët me bujq, blegtorë dhe përfaqësues nga industria ushqimore. Ky takim kishte për qëllim informimin e bujqve me përfitimet që do t’i ketë bujqësia në Maqedoni me anëtarësimin e vendit në NATO dhe BE.

Dekani i Fakultetit të Teknologjisë Ushqimore dhe të Ushqyerit në Universitetin e Tetovës, Prof. Dr. Xhezahir Idrizi, u shpreh se fakulteti që ai drejton, përveç bashkëpunimit që ka me kompanitë prodhuese nga vendi, rëndësi të veçantë i kushton edhe nevojave të sektorit të bujqësisë përmes organizimit të debateve dhe punëtorive të ndryshme. “Ne si Fakultet i Teknologjisë Ushqimore dhe të Ushqyerit ka disa vite që në kuadër të ditëve të hapura të UT-së e organizojmë panairin ushqimor me kompani të ndryshme prodhuese nga vendi. Ndërsa sot, bashkë me përfaqësues të këtyre kompanive, përfaqësues të  Ministrisë së Bujqësisë  si dhe bujq dhe blegtorë, për së afërmi diskutuam për mundësitë e përfitimit të projekteve të ndryshme që ndahen nga Bashkimi Evropian për zhvillimin e bujqësisë, subvencionimin e bujqve dhe blegtorëve. Në takim u diskutua edhe mbi trajnimet dhe shpalosjen e dokumentacionit për aplikim dhe lehtësimin e atij dokumentacioni për bujqit,  me përvojën që e kemi ne si fakultet” shtoi – Prof. Dr. Xhezahir Idrizi.

Po ashtu dekani i Fakultetit të Teknologjisë Ushqimore dhe të Ushqyerit, Prof. Dr. Xhezahir Idrizi, u bëri thirrje të gjithë studentëve të diplomuar të këtij fakulteti që nga java e ardhshme të ndjekin konkursin e shpallur për punësim nga Agjencioni për Përkrahje të Bujqve, pasi që ky agjencion në kuadër të sistematizimit për punësim do të punësojë kuadër të diplomuar në Fakultetin e Teknologjisë Ushqimore dhe të Ushqyerit.

Sekretari shtetëror në Ministrinë e Bujqësisë, Nefrus Çeliku, tha se anëtarësimi i Maqedonisë në strukturat euro-atlantike do të thotë më shumë fonde evropiane. “Këto fonde përfshijnë subvencione për makineri, të ardhura më të larta për fermerët, fonde më të mëdha për zhvillimin e bujqësisë dhe blegtorisë, fonde për zhvillimin e vendbanimeve rurale, fonde për rimëkëmbjen ekonomike të fshatrave, përmirësimin e kushteve të bujqve dhe blegtorëve, do të mundësohet një zhvillim më i hovshëm jo vetëm i sektorit bujqësor, por edhe i atij të blegtorisë, pylltarisë, si dhe zhvillimi në përgjithësi i industrisë agrare. Më tej do të zvogëlohet varshmëria nga importi, si dhe rritja e prodhimit vendor” – tha Nefrus Çeliku.

Në këtë takim ishin të pranishëm edhe zëvendësministri i Mbrojtjes, Doc. Dr. Bekim Maksuti, dhe drejtori i Agjencionit për Nxitje të Zhvillimit të Bujqësisë, Elgafar Jusufi, të cilët folën mbi përfitimet që do të ketë sektori i bujqësisë pas anëtarësimit të Maqedonisë në NATO. Mosbesueshmëria ndaj institucioneve, qasja deri te subvencionet, mungesa e informimit, mbeten disa nga problemet me të cilat përballen bujqit në vend, por kompetentët u shprehën të gatshëm për zgjidhjen e këtyre  problemeve dhe se do t’i ndihmojnë bujqit rreth procedurave për aplikimin e projekteve të ndara nga Bashkimi Evropian për bujqësinë, pasi këtë vit janë destinuar rreth 60 milionë euro subvencione për bujqësinë, mjete këto të ndara nga Bashkimi Evropian.