Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Arbër Ademi, sot mori pjesën në debatin që e organizoi Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe UNICEF-i mbi temën “Drejt arsimit inkluziv – kahje për reforma”.

“Shkalla e inkluzivitetit  të sistemit arsimor nacional është një nga treguesit themelorë për përkushtimin dhe angazhimin e institucioneve të sistemit dhe, në përgjithësi, për vetëdijesimin dhe ndërgjegjësimin e të gjithë aktorëve në procesin edukativo-arsimor për sigurimin e të drejtave dhe mundësive të barabarta për të gjithë nxënësit, pavarësisht nga veçoritë e tyre personale dhe veçantinë e nevojave arsimore”, theksoi ministri Ademi, duke shtuar se Qeveria është duke bërë hapa të mëdhenj duke ndjekur trendet dhe rrjedhat bashkëkohore lidhur me mënyrën e përfshirjes së fëmijëve me aftësi të kufizuar në shkolla.

Kjo është kështu, theksoi Ademi, sepse puna jonë, që nga konstituimi i Qeverisë aktuale në vitin 2017, bazohet në barazi dhe mundësi qasjeje për të gjithë qytetarët në të gjitha sferat shoqërore, si në shëndetësi ashtu edhe në sferën e mbrojtjes sociale, ekonomi, arsim, në vende pune, në jetën argëtuese e kështu më radhë.

Sipas ministrit, të gjithë bashkëqytetarët tanë që kanë pengesa të caktuara në zhvillimin psiko-fizik, nuk janë i nuk duhet të trajtohen ndryshe nga të tjerët.

“Ata posedojnë dhe në vazhdimësi i sendërtojnë aftësitë personale, por mund të përfitojnë edhe aftësi të reja, me të cilat kontribuojnë për progresin shoqëror socio-ekonomik. Në disa segmente ose situata konkrete madje edhe më shumë se disa të tjerë”, theksoi Ademi,  duke shtuar se sikur të gjithë qytetarët ata doemos duhet të përfshihen në procesin edukativo-arsimor dhe mësimit të përhershëm, përmes një modeli apo modeleve të edukimit që janë të përshtatshëm me specifikat e tyre.

Në këtë debat, Ademi theksoi se “Ne kemi sistem, për të cilin personalisht konsideroj se është i mirë, por është larg të përkryerit”.

“Një pjesë e shkollave është pajisur me teknologji asistuese. Janë duke u hartuar  tekste shkollore të adaptuara për specifikat e nxënësve, sikurse ato që janë shtypur me alfabet Braj për personat (nxënësit) me shikim të dëmtuar. Në vazhdimësi janë duke u përforcuar me shërbime profesionale, ku angazhohen pedagogë, psikologë dhe defektologë shtesë aty ku nuk ka pasur ose nuk kanë qenë në numër të mjaftueshëm, në përputhje me numrin e nxënësve që janë nevojë për mbështetje profesionale, ndërsa gjatë kohës së fundit janë angazhuar edhe asistentë personalë” shtoi ministri Ademi.

Ministri Ademi në fjalën e tij shtoi se edhe të gjitha zgjidhjet e reja ligjore që janë përgatitur apo që janë në përgatitje e sipër kujdes serioz u kushtojnë këtyre personave. Janë duke u aplikuar masa prej të cilave, siç tha, një pjesë ë tyre janë edhe rekomandime të Avokatit të Popullit dhe të cilat, në fakt, shndërrohen në zgjidhje sistematike.

“Këtu do të veçoja Ligjin për arsimin fillor që bëjmë përpjekje të miratohet sa më shpejtë. Ky ligj parashikon që në nivel të klasës, në shkollën e rregullt fillore, të regjistrohen më së shumti deri dy nxënës me nevoja të posaçme arsimore. Është paraparë që shkollat speciale, respektivisht shkollat në të cilat mësojnë dhe edukohen edhe nxënësit me aftësi të kufizuar të merren edhe me veprimtari shtesë, respektivisht të bëhen Qendra burimore  që do të mundësojnë lëvizjen  e stafit ekzistues me përvojë që do t’u japë përkrahje këtyre kategorive të nxënësve dhe ekipeve në shkollat e rregullta”, theksoi Ademi, duke përmendur se Strategjia për zhvillimin e Arsimit 2018-2025 përmban disa prioritete që fokusohen në përmirësimin e inkluzivitetit.