Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristian Mickoski sot realizoi takim me Komitetin e Përzier Parlamentar të Bashkimit Evropian dhe Republikës së Maqedonisë.

Në takim, thuhet në kumtesën e Qendërs për komunikime të VMRO-DPMNE-së, u bisedua për të ardhmen euroatlantike të shtetit, ngjarjet aktuale politike në shtet, si dhe referendumin e  ardhshëm.

Bashkëbiseduesit u pajtuan se integrimi i Maqedonisë në BE dhe NATO është kyç për zhvillimin e standardit jetësor të qytetarëve, si dhe proceset reformuese në gjyqësor, shëndetësi dhe arsim dhe zhvillimi gjithëpërfshirës të shtetit.

Mickoski e theksoi “përkushtimin e VMRO-DPMNE-së për integrimin e Maqedonisë në BE dhe NATO”, gjë që është në interes strategjik dhe shtetëror.

Mickoski u tha bashkëbiseduesve të tij se marrëveshjen për emrin me Greqinë, VMRO-DPMNE-ja nuk mund ta pranojë, për shkak të faktit se “ajo është në kundërshtim me parimet e partisë”, ndërsa në të ardhmen do të jetë edhe “mekanizëm juridik për bllokadë të integrimit të Maqedonisë në Bashkimin Evropian”. Kryetari i VMRO-DPMNE-së e konfirmoi edhe qëndrimin se qytetarët e Republikës së Maqedonisë janë mjaftë të pjekur dhe dinjitoz që vetë të vendosin se si do të veprojnë më 30 shtator.

Përfaqësuesve të Parlamentit Evropian, thuhet në kumtesë, u ishte thënë se “qeveria aktuale ka progres të pakënaqshëm në proceset reformuese të nevojshme për anëtarësim në BE dhe se mbështetja e  tyre personale dhe angazhimi do të jenë kyçe për progresin në procesin integrues të Maqedonisë”.