Meta-Milard: Rezultati pozitiv nga referendumi në Maqedoni i rëndësishëm për ardhmërinë evropiane të rajonit

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta dhe zëvendës-ndihmësja e sekretarit amerikan të Shtetit, Elisabet Millard, në takimin e sotëm në Tiranë, mes tjerash biseduan edhe për referendumin në Maqedoni, të caktuar për më 30 shtator.
Qëndrim i përbashkët i dy bashkëbiseduesve është se rezultati pozitiv i referendumit është i rëndësishëm për ardhmërinë evropiane, jo vetëm për Maqedoninë, por edhe për tërë rajonin.
Duke u përqendruar edhe në çështje tjera nga ngjarjet në Ballkan, Meta dhe Milard këmbyen mendime edhe rreth dialogut Kosovë-Serbi.
“Me rëndësi është finalizimi i dialogut Kosovë-Serbi përmes marrëveshjes. Marrëveshja Kosovë-Serbi garanton perspektivën evropiane, konsolidon bashkëjetesën ndëretnike dhe paqen në rajon”, është shprehur Meta.
Gjatë takimit, bashkëbiseduesit vlerësuan rëndësinë e ecurisë së reformave për përforcimin e shtetit juridik me qëllim konsolidimin e ligjit dhe integrimin evropian.
Meta e garantoi zyrtaren amerikane se Shqipëria është e vendosur në përmbushjen e detyrimeve që burojnë nga dokumenti i Partneritetit Strategjik Shqipëri-SHBA.