Një mësues është në hapat e parë të dijes së çdo fëmije e ndikon jo pak edhe në aftësitë e tij sociliazuese apo të karakterit. Një mësues mund të jetë frymëzim por edhe arsye që fëmija të mos e dojë një lëndë apo shkollën në tërësi. Pra mësuesi është fuqi dhe shoqëritë e shteti duhet të jenë këmbëngulës që të kenë vlerësimin e merituar dhe vendin e duhur. Por ajo nuk ndodh. Në Shqipëri është e qartë sa sa është zhvlerësuar ky profesion bazik, por lajme jo të mira vijnë edhe nga Amerika e ëndrrave.
Revista prestigjioze amerikane “Time” ka sjellë në vëmendjen e lexuesve nga e gjithë bota historinë e mësuesve amerikanë të mbikualifikuar që mezi paguajnë faturat mujore.
Një prej këtyre mësuesve është Hope Brown. Ajo arrin të fitojë 60 dollarë nga dhurimi i gjakut dhe pak më shumë nëse arrin të shesë disa prej rrobave të përdorura. Shumë kjo, që i mjafton vetëm për të mbuluar faturën e dritave ose shpenzimet për makinën. Tashmë kjo praktikë është bërë pjesë e përditshmërisë së saj, realitet që nuk e priste kur u diplomua në nivelin master për mësimdhënie dhe filloi të jepte lëndën e historisë në një shkollë të mesme të Amerikës.
Ajo gjithashtu bën edhe dy punë të tjera, që të garantojë para shtesë për të mbuluar shpenzimet mujore. “Unë e dua shumë mësimdhënien, por nuk paguhemi për punën që bëjmë”, ka rrëfyer ajo për “Time”.
Kjo është vetëm një prej historive të mësuesve të shkollave publike amerikane, të cilët kanë zhvilluar jo pak protesta gjatë këtij viti. Revoltat e tyre kanë ndezur debatin shumë të rëndësishëm mbi rolin dhe vlerën e mësuesve në edukim.