Londra edhe më tutje nuk e ka prezantuar qëndrimin e qartë për ardhmërinë e marrëdhënieve me BE pas Brexitit, ka thënë kancelarja gjermane Angela Merkel dhe ka përkujtuar se kanë mbetur vetëm edhe gjashtë deri tetë javë për të arritur marrëveshje.

Ajo këtë ka deklaruar pas vlerësimit të kryeministres Theresa May se është e papranueshme që liderët evropian po i refuzojnë propozimet e saja dhe ka theksuar se ka ngecje në negociata.

“Para nesh janë gjashtë deri tetë javë të punës jashtëzakonisht të rëndë pas të cilës duhet të merren vendimet politike. Kjo në masë të madhe varet prej asaj se çfarë në të vërtet dëshiron Britania e Madhe, gjë që nuk është shumë e qartë”, ka thënë Merkel në fjalimin e mbajtur para industrialistëve gjerman.

Merkel ka thënë se nuk mund dikush të jetë në një pjesë të tregut të përbashkët, ndërsa ta refuzojë tjetrën.

Theresa May në planin e saj të ndarjes nga BE, të quajtur “Checkers” sipas vendit ku është lidh kontrata, propozon një zonë të lirë tregtare për prodhime industriale dhe bujqësore, por jo edhe për shërbime dhe fuqi punëtore.

Ky propozim, sipas mendimit të qeverisë britanike, mundëson që mos të ketë “kufi fizike” në mes të krahinës britanike Irlanda e Veriut dhe Republikës së Irlandës, gjë që gjithashtu kërkon Brukseli.

Bashkësia Evropiane dhe Londra duhet që në tetor apo nëntor të pajtohen rreth marrëveshjes për “divorc” dhe për deklaratën me të cilën do të caktohet korniza e marrëdhënieve të tyre të ardhshme.

Merkel ka paralajmëruar se për të nuk do të jetë e pranueshme deklarata tepër e përgjithshme me të cilën po shtyhen për më vonë temat kryesore të mospajtimit.

“Nëse është një deklaratë e tillë politike tepër e përgjithshme, atëherë periudha e tranzicionit së shpejti do të jetë e pamjaftueshme që të arrihet një marrëveshje e arsyeshme”, ka thënë ajo.

Pa negociata në mars 2019 do të ndodhë ndarja e ashpër, e në rast se arrihet kompromisi, periudha kalimtare do të zgjasë deri në fund të 2020, gjë që është më favorshëm për qeveritë dhe firmat.