Partia politike Levica (e Majta) maqedonase, u bën thirrje edhe shqiptarëve që ta bojkotojnë referendumin e 30 shtatorit, dhe në tekstin e kësaj thirrje popullin shqiptar dhe gjuhën shqipe i radhit përpara popullit maqedonas dhe gjuhës së tij. Kjo nuk është dashamirësi, por kurth për mashtrimin e shqiptarëve dhe tallje me të drejtat e ligjshme për barazi të plotë të shqiptarëve në Maqedoni!

„E majta” maqedonase është një nga partitë politike, e cila bën pjesë në grupin e disa partive të vogla dhe grupacioneve politike që e kundështojnë Marrëveshjen e Prespës dhe referendumin e 30 shtatorit.

Dhe, gjithçka do të ishte e zakonshme për skenën politike në Maqedoni sikur propaganda e kësaj partie të mos ishte kaq e tejdukshme kundër referendumit dhe kinse mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni.

Më kryesorja që duhet ta dinë qytetarët shqiptarë në Maqedoni dhe jo vetëm, është fakti që kjo parti është rreshtuar përkrah strukturës më ekstreme dhe shoviniste të partisë opozitare maqedonase OBRM-PDUKM (VMRO), një partie tjetër të agjentit të ish sigurimit shtetëror, prorusit Janko Baçev dhe grupimeve politike antievropiane, antiamerikane dhe kundër NATO-s.

Thirrje që u drejtohet edhe qytetarëve shqiptarë në Maqedoni që ta bojkotojnë referendumin e 30 shtatorit përbën një PROPAGANDË PERFIDE të llojit të veçantë për faktin se, përgjatë historisë, forcat më kundërshqiptare në këto hapësira, si në Serbi, Maqedoni dhe gjetiu, janë munduar të manipulojnë me ndjenjat kombëtare të shqiptarëve, siç është rasti me këtë thirrje që kjo parti politike ua bën shqiptarëve për bojkotimin e referendumit.

Ata që e kanë lexuar këtë apel drejtuar shqiptarëve sigurisht se do ta vërejnë shumë lehtë ku qëndron mashtrimi dhe kurthi që munduhen këto forca t’ua përgatitin shqiptarëve, duke e mashtruarmë tepër vetveten në këtë rast, sepse shqiptarët nuk jetojnë në Mesjetën e hershme që të mos dinë së paku të lexojnë qartë se çka është e vertetë dhe çka përbën mashtrim dhe intrigë.

Emri i shiptarëve dhe i gjuhës shqipe kurrë nuk është përmendur dhe shkruar përpara emrit të maqedonasve (sllavëve) dhe gjuhës së tyre, përveç se në materialet dhe tekstet që u shërbejnë atyre si metodë dhe mjet i propagandës perfide kundër shqiptarëve.

Nëse kjo parti politike është e gatshme që shqiptarët dhe gjuha shqipe të jenë të barabartë në Maqedoni, këtë duhet ta dëshmojnë përmes mbështetjes me ndryshimet kushtetuese të radhës, ose më qartë, ta mbështesin përmes ndonjë deklarate ose formë tjetër iniciativën e Këshillit të Intelektualëve Shqiptarë në Maqedoni për rregullimin dhe garantimin me Kushtetutë të statusit juridik-kushtetues dhe politik të shqiptarëve si element konstitutiv, popull shtetformues në këtë shtet, si dhe për barazinë e plotë të gjuhës shqipe zyrtare, plotësisht të barabartë me gjuhën maqedonse në këtë shtet të përbashkët.

Në të kundërtën, apelet me përmbajtje të këtilla, shqiptarët i kuptojnë si pjesë të propagandës kundër interesave të tyre në Maqedoni dhe jo vetëm.

Nga Abdulla Mehmeti