Me pozicione të ndryshme nga ato të Panos Kamenosit, dolën dy deputetë të Grekëve të Pavarur lidhur me Marrëveshjen e Prespës. Tanasis Papahristopulos dhe Kostas Zuraris në intervista të veçanta për mediat greke zbuluan se nuk janë në linjë të njëjtë me kryetarin e tyre, i cili nuk e pranon zgjidhjen mes Maqedonisë dhe Greqisë dhe paralajmëroi se “do të bëjë gjithçka, marrëveshja të mos vijë në Parlamentin grek”, lajmëroi korrespondentja e MIA-s nga Athina.

Papahristopulos konsideron se marrëveshja është e vonuar, ndërsa Zuraris edhe pse është kundër, konsideron se Grekët e Pavarur nuk do të jetë e nevojshme ta rrëzojnë qeverinë, sepse për ratifikim do të ketë numër të mjaftueshëm nga partitë e tjera.

“Kam pozicion tjetër, këtë e kam thënë drejtpërdrejtë. Besoj se kjo marrëveshje është dashur të ndodhë para shumë viteve, është keq që vonon. Ky është mendimi im, por kjo nuk do të thotë se unë kam të drejtë, ndërsa të tjerët gabojnë. E respektoj mendimin tjetër, por nuk e ndaj”, tha zëdhënësi i grupit të deputetëve të Grekëve të Pavarur, Tanasis Papahristopulos për radion greke “Real FM”.

Ndërkaq për radion tjetër “Fokus fm”, sqaroi se çështja duhet të zgjidhet, sepse kjo është mirë për vendin.

Зурарис

Bashkëpartiaku i tij, Kostas Zuraris, edhe pse është kundër marrëveshjes së Prespës, nuk e ndan mendimin e Kamenosit se Grekët e Pavarur duhet të tërhiqen nga qeveria, sepse konsideron se edhe përkundër asaj që ata do të votojnë kundër, ekziston shumica në parlament edhe pa votën e tyre.

“Prej momentit kur ekziston shumica për t’u votuar, nuk ka arsye që kamenos ta tërheqë besimin për qeverinë”, ka thënë Zurarus për radion “H fm”, sipas mediumeve greke.

Grekët e Pavarur kanë shtatë deputetë në Parlamentin grek, ndërsa komentet në mediuemt greke janë se partia partnere e koalicionit në qeveri është e ndarë në dy taborre lidhur me marrëveshjen e Prespës, sepse tre nga deputetët janë kundër largimit nga qeveria.

Panos Kamenos, gjatë muajve të kaluar, pasi që Maqedonia dhe Greqia e nënshkruan Marrëveshjen, doli me propozime të ndryshme. Një periudhë kërkonte ratifikim me shumicë të madhe parlamentare, përkatësisht votim me minimum 180, në vend të 151 deputetëve, më pas thoshte se për Marrëveshjen e Prespës duhet të vendosin qytetarët, në zgjedhje apo në referendum, ndërsa të hënën porositi se Grekët e pavarur do të tërhiqen nga qeveria para se marrëveshja të vijë për ratifikim në parlament.

Siç kumtoi dje MIA, zëdhënësi i Qeverisë greke, Dimitris Xanakopullos në brifingun e rregullt me gazetarë, edhe njëherë përsëriti se edhe krahas qëndrimeve dhe pozicioneve të partnerit të koalicionit në qeveri, Panos Kamenos, marrëveshja e Prespës do të vijë në parlamentin grek dhe do të votohet. Në pyetjen e korrespondentes së MIA-s nga Athina, nëse qeveria greke, që vazhdimisht të shprehë bindje dhe të pohojë se ka shumicë në parlament, do të thotë se ka numëruar së paku 151 deputetë, aq sa nevojiten për ratifikuar marrëveshjen, Xanakopullos theksoi se kjo del nga  deklaratat që deputetë të caktuar  i kanë dhënë gjatë periudhës së kaluar.