Maqedonia dhe Shqipëria do të bashkëpunojnë në zhvillimin e rrjeteve transportuese të gazit natyror përmes ndërtimit të linjës ndërlidhëse për ta ofruar në mënyrë efikase këtë gaz natyror. Këtë e parasheh Memorandumi për Mirëkuptim që sot u nënshkrua në Tiranë midis SHA Resurset Energjetike të Maqedonisë dhe kompanisë ALBGAZ nga Tirana.
Në nënshkrimin e Memorandumit morën pjesë Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi dhe Ministri shqiptar i Energjetikës, Damian Gjiknuri.

“Si vende fqinje, me marrëdhënie tradicionalisht miqësore dhe bashkëpunim të zhvilluar ekonomik, në mënyrë aktive jemi angazhuar për të siguruar integrim më të shpejtë të tregjeve të energjisë në atë të BE-së dhe Komunitetit Energjetik  dhe rritjen e sigurisë së furnizimit me energji në rajon. Ky Memorandum  është një hap përpara drejt zhvillimit të partneritetit dypalësh strategjik në fushën e gazit natyror, duke u bazuar në Memorandumin tashmë të nënshkruar në fushën e energjetikës mes Ministrisë së Ekonomisë të Republikës së Maqedonisë dhe Ministrisë së Energjetikës të Republikës së Shqipërisë”, tha Bekteshi.

Sipas tij, gëzon fakti që ndërtimi i projektit TAP në territorin shqiptar është në fazën përfundimtare.

Ai vlerësoi se bashkëpunimi në fushën e gazit natyror, verifikuar sot nga drejtuesit e MER  dhe ALBGAZ  Bajram Rexhepi dhe  Arbër Avrami, si një partneritet strategjik mes dy kompanive do të mundësojë  siguri  dhe diversifikim të  furnizimit me gaz natyror. Kjo do të promovojë gazifikimin, shpërndarjen e sasive shtesë të gazit natyror midis dy vendeve por do të inkurajojë investimet në infrastrukturë në sektorin e energjisë  dhe do të përmbushim obligimet  që dalin nga Iniciativa Rajonale për lidhjen me gaz të Evropës Qendrore me atë Juglindore.

Sipas Bekteshit, Maqedonia dhe Shqipëria, si dy vende fqinje që duan të integrohen në strukturat evropiane, duke pasur parasysh procesin e Berlinit, janë  shumë të interesuar që në afat sa më të shkurtër kohor të konkretizojnë projektet e iniciuara, të cilat do të kontribuojnë për një bashkëpunim më të fuqishëm energjetik dhe ekonomik, duke pasur parasysh se vetëm integrimi i mirë rajonal do të sigurojë edhe integrim më të shpejtë në familjen evropiane.

“Nënshkrimi i këtij memorandumi për bashkëpunimi në sferën e gazifikimit, si pjesë e energjetikës , është një bazë e mirë nga e cila do të përfitojnë të dyja vendet. Projekte të tilla që zhvillojnë tregun e energjisë duhet të shihen me interes të madh, sepse si vendet fqinje kemi shumë detyrime ndaj Komunitetit të Energjisë”, tha ministri i energjetikës Damjan Gjiknuri.