Pesëdhjetë e katër amerikanë, një numër rekord deri tani, arritën sot në Maqedoni për të shërbyer si vullnetarë në Korpusin e Paqes. Ata do të ndajnë njohuritë dhe përvojën e tyre në shkolla dhe organizata në Maqedoni.

“Jemi dëshmitarë të ardhjes së grupit më të madh të vullnetarëve në historinë e Korpusit të Paqes të Maqedonisë. Nga viti në vit numri i vullnetarëve është në rritje. Kjo tregon interesin e madh që amerikanët kanë në shërbim të Maqedonisë”, tha drejtori i Korpusit të Paqes, Mark Hanafin.

Sipas Hanafinit, prania e tyre në Maqedoni është shumë e rëndësishme.

“Ndarja e njohurive dhe përvojave është e paçmueshme për të gjithë të cilët janë përfshirë”, thotë ai.

Gjatë qëndrimit të tyre në Maqedoni, ata do të punojnë si arsimtarë dhe profesorë të gjuhës angleze, si edukatorë specialë me persona me nevoja të veçanta, në fushën e zhvillimit të bashkësive në partneritet me shkollat fillore dhe të mesme, me institucionet qeveritare, me komunat dhe organizatat joqeveritare.

Korpusi i Paqes është organizatë qeveritare amerikane dhe i realizon programet e saj në partneritet me Ministrinë për Arsim dhe Shkencë, Ministrinë për Vetëqeverisje Lokale dhe me Ministrinë për Punë dhe Politikë Sociale.

Ky është grupi i 23-të me radhë i vullnetarëve që do të jetojnë dhe punojnë në Maqedoni. Në tre muajt e parë, vullnetarët do të kalojnë nëpër një trajnim përgatitor ku do të përfshihet mësimi i kulturës dhe gjuhës maqedonase dhe shqipe, kurse me punë do të fillojnë në fillim të dhjetorit.

Që nga viti 1996 në Maqedoni si vullnetarë kanë shërbyer mbi 750 shtetas amerikanë.