Mbi 60 profesionistë nga Maqedonia, Shqipëria, Holanda dhe Kosova marrin pjesë në Konferencën treditëshe për mentorë, që mbahet në Shkup.

Qëllimi i konferencës, me të cilën fillon projekti “Përforcimi i grave përmes mentorimit” është të nxitet vlera e procesit mentorues, si dhe rrjetëzimi në Maqedoni dhe në rajon në drejtim të promovimit të të drejtave të barabarta të burrave dhe grave, si dhe përkrahje e iniciativave të grave sipërmarrëse.

Sipas kryetares së Lidhjes së Odave Ekonomike të Maqedonisë, Danela Arsovska, e cila e hapi Konferencën, edhe krahas vetëdijes së rritur për vlerën dhe rolin e grave, e cila mund të  jetë kyçe në ndërrimin e fuqisë ekonomike të vendit, në sektorin privat gratë nuk janë mjaft të përfaqësuara  në pozitat udhëheqëse.

“Ekziston luftë e pabarabartë, sepse të jesh i barabartë do të thotë të ekzistojnë mundësi të barabarta për zhvillim. Konsiderojmë se këtu është roli bazë i mentorëve, të nxisin, të përkrahin dhe t’ua japin dorën grave me perspektivë me qëllim të arritjes së suksesit dhe lidershipit në fushën  e tyre të veprimit”, tha Arsovska.

Në hapjen e Konferencës morën pjesë edhe ambasadori i Holandës, Vilem Vouter Plamp, si dhe Sllavica Nikollovska nga Rrjeti i mentorëve të Maqedonisë.